Berisha: Mazhoranca, e shtrënguar të negociojë së pari me Partinë Socialiste

Kreu i qeverisë Berisha e konsideron grevën e deputetëve si një vendim politik e personal të vetë ligjvënësve, por thekson se nëpërmjet grevës nuk mund të plotësohen pretendimet politike, të cilat PD, kur qe në opozitë, nuk i zgjodhi me metodat ekstreme të bllokimit të zgjedhjeve
Anëtarët e Komisioneve Zgjedhore nuk fitohen me greva urie dhe të gjitha partitë kanë pasur kohë të debatojnë për kodin zgjedhor në Shqipëri.
Kryeministri Sali Berisha, ka reaguar dje ndaj 10 deputetëve grevistë, të cilët kërkojnë me ngulm një vend anëtar në komisionet zgjedhore. Kreu i qeverisë, tha se respekton vendimin e gjithsecilit, por nuk është kjo mënyra e duhur për të caktuar anëtarët e komisioneve. Berisha vuri në dukje se qeveria që ai drejton është e detyruar të negociojë vetëm me partinë më të madhe opozitare, me Partinë Socialiste. “Duke shprehur respektin për vendimin e gjithsecilit, më duhet të them se anëtarët e komisionit zgjedhor, s’caktohen në këtë mënyrë, nëpërmjet grevës së urisë, pasi mendoj se nuk do të ishte e mundur që ata të caktoheshin në këtë mënyrë”, tha Berisha. Për sa u takon bisedimeve të mundshme me grevistët, kreu i qeverisë tha se ata kanë ndjekur zhvillimet në komision dhe kanë shprehur qëndrimin e tyre.
Kryeministri Berisha përsëriti se qeveria, është e shtrënguar të negociojë vetëm me partinë më të madhe opozitare dhe se ai nuk mund të anashkalojë Partinë Socialiste për t’u plotësuar kërkesat partive më të vogla në opozitë. “Ata kanë pasur çdo rast për të qenë dhe kanë qenë në komision, ligji sërish do të shkojë në Parlament, por unë e kam theksuar dhe e theksoj se jam në qeveri dhe me të gjithë Kodin e rregullave, sepse nuk jam unë që zgjedh opozitën, atë e zgjedh populli, ashtu siç zgjedh edhe qeverinë. Populli shqiptar ka përcaktuar opozitë kryesore Partinë Socialiste dhe është jashtë çdo lloj mundësie që unë të veproj nëpërmjet faktorëve të tjerë opozitarë në dëm të partisë kryesore opozitare. Kjo është e pamundur për mua”, vuri në dukje Berisha. Ai ka kujtuar se megjithëse PD-ja është kthyer në qeverisjen e vendit, kur kjo parti ishte në opozitë, në komisionet zgjedhore dominonin qeveritarët e atëhershëm, aktualisht në opozitë. “Partia Demokratike ka qenë në opozitë dhe ka pasur kohë që nuk ka pasur asnjë përfaqësues në komision dhe nuk ka ndërmarrë kurrë veprime ekstreme të grevave të urisë ose të bojkotit të zgjedhjeve. Kemi bërë ç’do përpjekje dhe unë mund t’ju them një gjë, që numërimi i votave në këto zgjedhje, për ata që e lexojnë atë Kod do të jetë numërimi më transparent në historinë e vendit dhe ndoshta dhe në historinë e Evropës. Sepse është parashikuar që ç’do fletë votimi të vendoset mbi skaner dhe të projektohet mbi mur rezultati i saj për të gjithë ata që e shohin”, konkludoi shefi i ekzekutivit, Sali Berisha.
...