E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e PS draftmarrëveshje të ndryshme, s’bien dakord për nënshkrim

30/03/2011  Zhvillohet tryeza e partive politike për zgjedhjet vendore të 8 majit

Partia Demokratike i ka lënë edhe një ditë afat Partisë Socialiste të vendosë për nënshkrimin e marrëveshjes me 16 pika të propozuar prej saj në lidhje me zgjedhjet e 8 majit, gjatë tryezës së djeshme të thirrur nga nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, dhe pjesëmarrjen e partive parlamentare. Por, nëse palët nuk tërhiqen nga pozicionet e djeshme, duket se shtyrja me 24 orë nuk do të sjellë asgjë të re për marrëveshjen politike mes palëve, pasi secili prej përfaqësuesve ka këmbëngulur në propozimet e partisë së tij. Pas mbi tri orë diskutimesh, partitë politike nuk kanë arritur të bien dakord mbi nënshkrimin e draftmarrëveshjes në fjalë, pasi mazhoranca nga ana e saj nuk ka pranuar asnjë nga kërkesat e bëra nga PS-ja, duke theksuar se ato nuk janë pjesë e dokumentit të propozuar. Nga ana tjetër, opozita ka këmbëngulur në gjashtë kushtet e saj për t’iu shtuar marrëveshjes me 16 pika që demokratët synonin të firmosnin në fund. Roli dhe funksionimi i deritanishëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka arritur të përçajë palët. Mazhoranca e ka nxjerrë jashtë diskutimit mundësinë për të ndryshuar Kodin Zgjedhor për funksionimin e këtij institucioni. “Ne jemi të gatshëm, ashtu si dhe më parë, të japim të gjithë kontributin tonë profesional dhe politik, me qëllim adresimin e të gjitha vërejtjeve të raportit të OSBE-ODIHR-it, por edhe përmirësime të mëtejshme. Nëse ka vullnet politik për të adresuar problemet, edhe për kohën e mbetur mund t’i adresojmë tërësisht çështjet që u përmendën, të cilat nuk kërkojnë ndërhyrje ligjore të mëdha, por thjesht e vetëm vendimmarrje të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e ligjit zgjedhor dhe natyrisht e para së gjithash vullnetin politik real nga ana e mazhorancës qeverisëse”, theksoi Ruçi, duke nënvizuar se kështu i hapet rruga një reforme më të thellë zgjedhore pas zgjedhjeve vendore. Por kreu i kuvendorëve të PD-së, Patozi, deklaroi se çdo ndryshim në kodin elektoral nuk është gjë tjetër vetëm një minë që i vihet procesit. “Është tepër vonë për të pasur ndryshime në Kodin Zgjedhor. Sepse çdo ndryshim nuk sjell gjë tjetër, vetëm se dëmton procesin dhe dëmton zgjedhjet”, tha Patozi. Tryeza u la të mblidhet paraditen e sotme në të njëjtën orë, duke i dhënë kohë PS-së të shqyrtojë draftmarrëveshjen, si dhe PD-së të shqyrtojë 6 kushtet e selisë rozë, pa të cilat Ruçi bëri të qartë se nuk do të kishte firmosje të marrëveshjes. Të pranishme në tryezë, ishin dhe LSI, PBDNJ, PDIU, dhe PR.

Wollfarth: Bisedimet për Kodin menjëherë pas zgjedhjeve

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, i pranishëm në tryezën e partive politike parlamentare për zgjedhjet, ka përjashtuar mundësinë e ndërhyrjes në Kodin Zgjedhor. Duke iu referuar thirrjes për tryezë, ai tha se vetëm vullneti i mirë nuk është fundi i zhvillimit, por angazhimi për konkurrencë të ndershme është një pikënisje. “Megjithatë, pjesa më e madhe që unë pres dhe shpresoj të fillojë së shpejti janë bisedimet për reformën e Kodit Zgjedhor menjëherë ose shumë shpejt pas ditës së zgjedhjeve. Shteti i së drejtës është tejet i rëndësishëm. Një fjalë që duhet të minimizohet në të ardhmen: mosndëshkueshmëria. Në shtetin e së drejtës, dhe me zbatimin më të mirë të mundshëm të shtetit të së drejtës, mosndëshkueshmëria duhet të pakësohej, dhe sigurisht që duhen trajtuar edhe burimet që do të çonin në defekte në procesin zgjedhor”, theksoi Wollfarth. Ai sugjeroi që në këtë fazë, në frymën edhe të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, partitë politike të mund t’i paraqisnin këto në një marrëveshje përfundimtare, dhe në një dokument më të mirë për qytetarët e vendit. “Respekti për njëri-tjetrin, respekti i partive të mëdha ndaj partive të vogla dhe midis partive, institucioneve dhe qytetarëve është kyçi dhe është pjesë e vullnetit të mirë”, përfundoi kreu i OSBE-së.

Aktmarrëveshja e PD-së

Partitë riafirmojnë konstatimin e OSBE-ODIHR-it se “Kodi Zgjedhor përbën një bazë të detajuar teknike për mbarëvajtjen e zgjedhjeve demokratike” dhe se zbatimi i tij garanton të drejtat e zgjedhësve, subjekteve zgjedhore dhe standardet më të larta ndërkombëtare.

Partitë bien dakord që stabiliteti i legjislacionit zgjedhor është themelor për mbarëvajtjen e procesit në fazën aktuale të përgatitjeve zgjedhore.

Partitë angazhohen të përmbushin në kohë dhe me përpikëri çdo detyrim ligjor gjatë fushatës zgjedhore, duke kontribuar për një fushatë të qetë e me etikë qytetare.

Partitë do të bëjnë gjithçka që komisionerët e tyre të qëndrojnë në detyrë gjatë periudhës para, gjatë dhe paszgjedhore.

Partitë në asnjë rast nuk do të udhëzojnë komisionerët e tyre që të largohen nga detyra me vulën përkatëse, apo çdo materiali zgjedhor.

Paritë do të marrin masa dhe do të bashkëpunojnë me KQZ kundër çdo bllokimi të procesit zgjedhor.

Partitë angazhohen të garantojnë transparencë të plotë të procesit zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›