E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet në shëtitoren “Taulantia”, dëmtojnë kolektorin

30/03/2011  Bashkia asnjë kontroll dhe kujdes ARM thotë se ndotja është shumë e lartë

DURRES- Investimet e shumta në ndërtimin e objekteve disakatëshe në lagjen numër 1 të qytetit të Durrësit përgjatë shëtitores “Taulantia” kanë dëmtuar në disa nyje kolektorin. Bashkia ka realizuar në këtë pjesë të bregdetit një sërë investimesh, ndërsa në të djathtë të kësaj shëtitoreje shumë biznese kanë zbatuar projektet e tyre të rëndësishme kryesisht në zhvillimin e turizmit dhe në akomodimin e pushuesve. Agjencia rajonale e Mjedisit në Durrës ka deklaruar herë pas here se zona bregdetare tek Bërryli ka ndotje të madhe ngase disa subjekte kanë shtrirë kanalizimet e tyre për në det, duke ndotur kësisoj ujin në breg të detit.

Kolektori

Por agjencia ka vënë në dukje se dëmtimi i kolektorit që shërben për të ruajtur zonën nga përmbytja dhe nga ndotja është nxjerrë jashtë funksioni. Disa herë specialistët kanë ngritur zërin duke kërkuar që kjo pjesë e shëtitores të mirëmbahet me shumë kujdes. Ata kanë bërë të ditur se kolektori, si dhe nyjet sanitare nuk janë vënë në funksion për arsye, të cilat lidhen më së shumti me mungesën e ushtrimit të kontrolleve. Pjesa e shëtitores në jug-perëndim të qytetit të Durrësit është zona më e frekuentuar nga qytetarët kryesisht në orët e mbrëmjes. Kjo ka nxitur zbatimin e disa projekteve të rëndësishme nga bashkia kryesisht në zgjerimin e shëtitores me ndërtimin e murit mbrojtës në anë të detit, mbjelljen e pemëve dekorative apo shtrimin e një rrjeti të ri kanalizimesh. Edhe pse hapësira që zë shëtitorja nuk është e madhe bashkia ka shpenzuar miliona lekë për ta bërë shëtitoren sa më të përshtatshme për vizitorë, turistë dhe qytetarë duke i kushtuar vëmendje edhe parqeve dhe këndeve për lojëra kryesisht për moshat e vogla. Përgjatë shëtitores është ndërtuar gardhi i betontë me kangjella, stola e ndriçues, ndërsa lulishtet e mëparshme kanë ardhur duke e zvogëluar sipërfaqen, pasi përgjatë shëtitores janë vendosur shumë lokale e lodra. Çështje me jo pak shqetësim mbetet ajo e kujdesit për kolektorët. Sheshi “Rezistena” në këtë shëtitore ka ende shumë nevojë për investime, ashtu si dhe pjesa fundore e saj. Bashkia duket se e ka pasur të vështirë të disiplinojë ndërtimet në këtë pjesë të bregdetit, e cila në disa pjesë të saj është përfshirë nga kaosi i ndërtimeve. Pikërisht një shtrirja pa kriter ka shfaqur probleme edhe në disiplinimin e ujërave që vinë nga kodra në perëndim të qytetit si dhe kolektorët. Bllokimi herë pas here i kolektorit ka shkaktuar probleme të mëdha. Çështja e higjienës këtu ka të bëjë edhe me mungesën e çezmave për ujin e pijshëm. Në disa stacione të tilla ka edhe nyje sanitare, edhe çezma, por në asnjë rast ato nuk janë në shërbim të qytetarëve. Stacionet këtu janë lënë jashtë vëmendje duke gjetur rrugën më të lehtë, atë të vendosjes së kyçit. Bashkia ka thënë se kolektori kryesor i lagjes numër 1 është ndërtuar rreth viteve 1970 dhe pas kësaj periudhe nuk ka pasur asnjë investim themelor në këtë drejtim. Në 20 vitet e fundit popullsia këtu është rritur me disa mijëra, ndërkohë që pikërisht kjo zonë mbetet edhe sot ndër më të lakmuarat për ndërtimin e restoranteve, lokaleve, bareve, hoteleve, moteleve, diskove e pub-eve. Kjo ka shtyrë urbanistët të kërkojnë studim të veçantë dhe kujdes të vazhdueshëm për të ruajtur shëtitoren dhe të gjithë zonën. Aktualisht nuk ka nisma, të cilat do të tërheqin opinionet e specialistëve, duke lënë zhvillimin e zonës jashtë ideve perspektive. Në të djathtë të shëtitores, që sot është mbushur me ndërtime të ndryshme, nuk ka pasur asnjë investim. Bashkia e ka lënë në duart e bizneseve private pa ndonjë orientim zhvillimi për sot dhe në të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›