E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, rrëzohet projektbuxheti i bashkisë

30/03/2011  Të djathtët: Buxheti parashikonte groposjen e miliona lekëve. Të majtët: Po bëjnë politikë

KORÇE- Projektbuxheti i Bashkisë Korçë i paraqitur për miratim ditën e martë në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë nuk arriti dot të merrte votat e të djathtëve, gjë që solli dhe rrëzimin e projekt-draftit. Për rrjedhojë, mbledhja në fjalë u shoqërua me akuza dhe kundërakuza të ndërsjella me reagime dhe kundërreagime, ku palët synonin që përmes fjalës së tyre së paku të sqaronin opinionin qytetar dhe veçanërisht elektoratin përkatës. Për të djathtët, projektbuxheti i paraqitur përshkohej nga shkelje ligjore dhe kjo ishte arsyeja e vetme që buxheti nuk mund të merrte miratimin e tyre, ndërsa për të majtët, këshilltarët e djathtë nuk po bënin gjë tjetër veçse fushatë elektorale, ku ndërkohë synonin pengimin e punës së bashkisë në realizimin e projekteve për qytetarët. Secila prej palëve solli dhe argumentet e veta për pozicionimin “pro” miratimit të buxhetit dhe qëndrimit “kundër” ndaj tij. Megjithatë, ajo që ra në sy gjatë kësaj mbledhjeje kishte të bënte me akuzat se një pjesë e qytetit të Korçës ishte parë me syrin e nënës, ndërsa pjesa tjetër me syrin e njerkës, gjë që në të vërtetë ka sjellë shqetësim për banorët e Korçës.

Të djathtët

Nëse ne do të miratonim këtë projektbuxhet, tha kryetari i grupit të këshilltarëve të djathë, Pëllumb Beqiri, atëherë ne do t’i hapnim rrugë groposjes së miliona e miliona lekëve që vijnë nga taksapaguesit, sepse të ndryshosh qendrën e një qyteti me më shumë se 50 mijë banorë, sipas ligjit të urbanistikës, nuk është kompetencë e KRRT-së së bashkisë, por vetëm e KRRTRSH-së. Pra, në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje të ligjit. Veç kësaj, tha Beqiri, për ne këshilltarët e djathtë nuk ka “qendër” dhe “periferi”, sepse këto janë vetëm nocione, pasi për ne ka vetëm qytetarë korçarë që jetojnë në zona të ndryshme të Korçës. Ndaj kërkuam që paratë e destinuara për qendrën e qytetit, të investohen në gjithë territorin e bashkisë, për të gjithë qytetarët, kudo që ata jetojnë në qytetin tonë, sepse ne jemi për një Korçë të të gjithëve dhe jo vetëm për ata që banojnë në qendër. Ne nuk mund të pranojmë kontrata që bien ndesh me VKM-të, kur bëhet fjalë për 8, 8 milionë lekë të qytetarëve të Korçës, të destinuara për të mbyllur punimet në bulevardin “Republika”, sepse lekët janë të të gjithë paguesve korçarë, kurse Niko Peleshi duke injoruar Vendimin e Këshillit të Ministrave ia akordon këto miliona lekë firmës që ka kryer punimet, por duke shkelur afatet ligjore, afatin kur një kontratë fillestare mbaron menjëherë brenda tre muajve, dhe kur në këtë rast hartohet një kontratë shtesë, e cila përmbyll gjithë punimet e nevojshme. Kryetari i Bashkisë Korçë edhe pse gjendet përballë shkeljeve të tilla, sërish përpiqet të sillet në mënyrë arbitrare. Pra, janë shkeljet ligjore ato që e bëjnë projektbuxhetin të pamiratueshëm, theksoi Beqiri.

Niko Peleshi

Ndërkaq, kryetari i Bashkisë, Niko Peleshi, mosmiratimin e buxhetit e argumentoi në këtë mënyrë: “Sa herë që në Këshillin e Bashkisë vjen një propozim, i cili ka një impakt për qytetarët, një projekt siç ishte projekti i qendrës së qytetit, i rikonstruksionit të rrugëve në qendër apo projekte të ndryshme për qytetarët, ai rrëzohet. Megjithatë, tha Peleshi, dëshiroj t’u them qytetarëve se bashkia nuk do ta ndërpres punën, të gjitha projektet e filluara në të gjitha lagjet e qytetit nuk mund të ndërpriten do të vazhdojnë se janë projekte në vazhdim. Ato nuk kërcënohen nga ky vendim. Ndërkohë që shumë projekte të tjera që lidhen me shërbimet për të moshuarit, për fëmijët, dhe për të rinjtë janë penguar dhe do të vonohen”. Megjithatë, pavarësisht nga reagimet e të dyja palëve, të djathtët theksuan se buxheti i bashkisë nuk do të gjejë miratim për aq kohë sa kryetari iB nuk do të respektojë bazën ligjore. Miratimi do të ndodhë vetëm atëherë kur gjithçka të jetë në përputhje të plotë me ligjet dhe vendimet e qeverisë. V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›