E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e PS mungesë kompromisi për shpifjen e fyerjen

14/02/2012  Komisioni për Çështjet Ligjore nis shqyrtimin e ndryshimeve për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë

Mazhoranca dhe opozita nuk po bien dakord nëse do të dekriminalizojnë shpifjen dhe fyerjen, pra t’i heqin nga Kodi Penal dhe t’i kalojnë në atë Civil. Në mbledhjen e djeshme Komisioni i Ligjeve vendosi për ta shtyrë për mbledhjen e së mërkurës diskutimin mbi këtë çështje gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.07.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”. Por ata kanë mundur të zgjerojnë gamën e rasteve kur një viktimë e këtyre veprave mund të dëmshpërblehet në para për to. Gjatë diskutimeve, që zgjatën afro tri orë, të nivelit teknik nga ana e deputetëve për ndryshimet në Kodin Civil, miratimi i të cilave kërkon 3/5 e votave të deputetëve, u kaluan me konsensus tri ndryshime të Kodit.

Ndërsa dy nene të tjera, për shkak të kompleksitetit të tyre, që lidhet me detaje shumë teknike të shpifjes dhe fyerjes nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik, përfshirë edhe ato në internet, do të diskutohen në mbledhjen e së mërkurës. “Nëse duam të mbrojmë reputacionin nga dëmi i mjeteve elektronike të komunikimit, duhet të kërkojmë reagim të shpejtë, sepse ai i vonuar nuk ta riparon kurrë dëmin”, - deklaroi kryetari i komisionit, Ilir Rusmali. Deklarata e tij u pasua nga reagimi i nënkryetarit socialist të komisionit Fatmir Xhafaj, i cili theksoi se “ne duhet ta mbështesim këtë propozim, sepse është një risi që duhet rregulluar dhe më pas të shohim se çfarë do të sjellë problematika e re”. Sipas ndryshimeve në Kodin Civil, një person nuk mund ta padisë shpifësin ose fyesin më vonë se një vit nga kryerja e këtyre veprave, ndërkohë që më parë ky afat ishte 3 vjet. Deputetet e Komisionit të Ligjeve vendosën që në Kodin Penal të dënohen dhe shpifjet në internet.

Kodi Penal

Paralelisht me Kodin Civil, Komisioni i Ligjeve pritet të nisë edhe diskutimin për ndryshimin e Kodit Penal dhe nëse gjithçka ecën mirë, nuk do të jetë e largët dita kur do të mbërrihet edhe te Gjykata Administrative, me shpresën se brenda disa javësh mazhoranca dhe opozita do të miratojnë një nga prioritetet kyçe të Bashkimit Europian për Shqipërinë: votimin me konsensus të ligjeve me shumicë të cilësuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›