E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji për bankat Opozita braktis mbledhjen

08/11/2011  Deputetët e Partisë Socialiste braktisën mbledhjen e djeshme të Komisionit parlamentar të Integrimit, ku do të shytohej projektligji i qeverisë për disa shtesa dhe ndryshime “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”. Shkak u bë mospranimi i kërkesës së tyre për ta shtyrë mbledhjen në një datë tjetër. Në emër të grupit socialist Taulant Balla kërkoi që shqyrtimi i ligjit të bëhej më datën 17 nëntor, pasi duhet një gjithëpërfshirje në hartimin e këtij ligji. “Ne kërkojmë që shqyrtimi i këtij ligji të bëhet në mbledhjen e javës së ardhshme, më datën 17 nëntor, pasi në mendojmë se duhet konsultuar njëherë me palët, të dëgjojmë dhe mendimin e tyre, pastaj të vendosim për të. Duke qenë se ligji nuk është gati, atëherë kërkojmë që ta shtyjmë”, - propozoi deputeti i PS-së Taulant Balla. Por kërkesa e socialistëve nuk u miratua nga drejtuesja e mbledhjes së djeshme, deputetja e PD-së Mesila Doda. “Unë propozoj se duhet ta njihni tani ligjin, dhe pastaj të veprojmë hap pas hapi. Ndërkohë që Komisioni i Ekonomisë e ka ndërmarrë një vendim për ta shtyrë shqyrtimin e projektligjit, kështu që çdo mendim apo vërejtje duhet ta shqyrtojmë këtu dhe më pas t’ia kalojmë Komisionit të Ekonomisë”, - tha Doda. Debati ka vijuar më tej nga Balla, i cili deklaroi se “meqë ju s’e miratoni kërkesën tonë, ne po largohemi”. Por largimi i deputetëve të PS-së Taulant Balla dhe Ditmir Bushati u komentua nga Doda, e cila teksa po largoheshin u shpreh: “Është e disata herë që ne funksionojmë në të njëjtën mënyrë, me marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin. Ju po riktheheni në qëndrimin tuaj të vjetër. Meqenëse juve nuk ju intereson ekonomia e vendit, e kuptojmë dhe qëndrimin tuaj për këtë”, - deklaroi deputetja Mesila Doda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›