PD e Tiranës, Mustafaj letër Bodes
ADI SHKEMBI
Në prag të zgjedhjeve për PD-në e Tiranës, kandidati Besnik Mustafaj i dërgon letër sekretarit të Përgjithshëm, Ridvan Bode, për procedurat e kandidimit. Ish-ministri i Jashtëm, i cili ka shpallur kandidaturën për degën më të madhe të kësaj partie, e bëri të ditur këtë në një prononcim për mediat. "I kam bërë një letër sekretarit të Përgjithshëm, ku i parashtroj disa kërkesa. Është një letër normale e brendshme dhe s'kam ndërmend ta citoj këtu. Por unë nuk kam pasur asnjë kundërshtim dhe inkurajim të posaçëm nga lidershipi i partisë", tha kandidati për degën e kryeqytetit. Megjithatë, Mustafaj nuk dha detaje të tjera të letrës për Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së. Por nga ana tjetër i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Bodes, i cili ka konfirmuar marrjen e disa kërkesave. Megjithatë ai shtoi se procedurat do të jenë të njëjta për të gjithë dhe për këtë kandidatët duhet t'i referohen pikërisht udhëzimit të miratuar në kryesi. "Janë disa kërkesa që kanë ardhur në rrugë të ndryshme, dikush me letër, dikush me kontakte që kanë shprehur dëshirën për të kandiduar. Unë u kam dhënë të gjithëve të njëjtën përgjigje, që do të zbatojmë të gjitha procedurat që janë në përputhje me statutin dhe me këtë udhëzim. Askush nuk mund të kërkojë ndonjë status specifik apo të kërkojë ndonjë përgjigje specifike, veç atyre që ka dhënë statuti dhe udhëzimi i Partisë Demokratike", theksoi Bode, duke shtuar se përveç Mustafajt, Bojaxhiut e Palokës ka edhe emra të tjerë në këtë garë. Ndërkohë edhe kryetari i deputetëve demokratë, Astrit Patozi, ka folur dje për zgjedhjet në PD, duke thënë se "zgjedhjet për kryetarin ende nuk kanë nisur. Që ta dini, sipas statutit të Partisë Demokratike, në fillim bëhen zgjedhjet për seksionet dhe më pas ato për kryetar të degës, pra vetëm pasi të përfundojnë zgjedhjet në seksione, ne mund të flasim për kandidatura zyrtare". Në udhëzimin e miratuar në kryesi përcaktohen kriteret specifike që duhet të plotësojnë kandidatët për kryetarë të degëve dhe nëndegëve të PD-së. Kështu të gjithë ata që do të kandidojnë për kryetar të degëve të PD-së, duhet që domosdoshmërisht të jenë me arsim të lartë, të kenë aftësi të veçanta intelektuale, të kenë përvojë politike si anëtarë të PD-së dhe të kenë dhënë kontribut të dukshëm në zgjedhjet e fundit lokale për kandidatët e PD-së.
Paloka: Nuk fitohet gara jashtë projektit të Berishës për Tiranën
Edi Paloka konfirmon se do të futet në garë për PD-në e Tiranës nëse merr konfirmimin e bazës. Në një intervistë për gazetën "Panorama", ai flet për drejtimin aktual të kësaj dege dhe dy rivalët e tjerë të tij, Mustafajn dhe Bojaxhiun.
Zoti Paloka, përse keni vendosur të shpallni kandidaturën për degën më të madhe të PD-së?
Faza për të shpallur kandidaturën nuk ka ardhur ende, pasi në këto momente janë duke u zhvilluar mbledhjet e seksioneve në të gjithë Tiranën dhe, sipas statutit të Partisë Demokratike, janë këto seksione që duhet të propozojnë kandidaturat edhe për kryetarin e degës. Unë po pres dhe e mirëpres që seksionet e PD-së të më propozojnë si kandidat dhe sipas statutit është kryesia e PD-së që pas konsultimeve dhe analizave vendos cilët do jenë kandidatët zyrtarë. Nëse do e shoh që jam propozuar mjaftueshëm, pra nëse baza do e kërkojë kandidimin tim, do të konsultohem edhe me kryetarin e partisë dhe më pas do futem në garë.
Pra deri tani, gatishmëria për t'u futur në garë është një ide e juaja personale? Nuk keni pasur konsultime me kryetarin Berisha?
Nuk kam biseduar direkt me Berishën, ua thashë arsyen pse. Procedurat janë të tilla që duhet të propozohesh nga baza. Unë e kam menduar gjatë kandidimin për Tiranën. Nuk është e lehtë, është jo vetëm dega më e rëndësishme, por edhe më e vështira për t'u organizuar, jo thjesht për numrin e madh të anëtarëve dhe të seksioneve, por edhe sepse ajo që i mungon praktikisht PD-së në Tiranë është kontakti me anëtarët e partisë. Të krijosh kontakt me të gjithë anëtarët e partisë në Tiranë nuk është gjë e lehtë. Pikërisht për këtë arsye unë e kam menduar gjatë, pasi nëse do t'i hyj kësaj rruge dhe nesër do jem kryetar i PD-së së Tiranës, nuk do hyj thjesht për t'u quajtur kryetar i PD-së së Tiranës, por për t'i dhënë këtij PD-së atë që meriton, pra një fitore bindëse.
Ju po thoni që PD-ja gjatë këtyre katër viteve në Tiranë ka humbur kontaktet me bazën?
Nuk është thjesht dega e Tiranës, por angazhimi në qeveri i figurave kryesore të PD-së ka sjellë njëfarë shkëputje mes anëtarësisë dhe drejtuesve të PD-së. Eshtë e kuptueshme që në qeveri ne do të angazhonim figurat kryesore të partisë dhe ashtu ndodhi, por duke qenë të angazhuar me shumë punë, është krijuar dhe kjo shkëputje mes anëtarëve dhe drejtuesve të PD-së. Mendoj që Tirana është demokratike, me aq sa e njoh unë. Kam kandiduar tri herë në Tiranë dhe ajo që është kryesorja është pikërisht kontakti me njerëzit, angazhimi i sa më shumë njerëzve, shpërndarja e përgjegjësive te sa më shumë njerëz dhe unë jam i bindur nëse arrihet kjo është padiskutim i PD-së.
Nëse ju merrni mbështetjen e bazës së PD-së, por nuk arrini të bindni lidershipin e saj, do ta vazhdoni këtë garë?
Jo. Nëse lidershipi i PD-së do të ketë arsye, unë nuk besoj se do të ketë të tilla, mund të ketë negociata për gjëra të tjera, por jo kundër kandidimit tim, por gjithsesi nuk do të dal kundër kryetarit. As nuk e mendoj që unë të dal kundër kryetarit nëse ai do të ketë një projekt tjetër për Tiranën, apo një ide tjetër.
Është thuajse e pamundur të hysh në një garë nëse nuk ke mbështetjen e Berishës apo jo?
Berisha nuk do të ndërhyjë direkt apo indirekt në një garë. Siç e dini janë edhe dy kandidatë të tjerë që nuk kanë marrë OK e Berishës, por kjo nuk do të thotë që ata të mos kandidojnë. Për mua si anëtar i vjetër i PD-së nuk është normale të dal kundër një vendimi. Siç u thashë do të konsultohet kryesia e kryetari dhe nëse ata nuk janë bindur që unë nuk jam personi i përshtatshëm, nuk kam arsye të dal kundër vullnetit të tyre.
Gjatë kësaj kohe janë konfirmuar edhe Mustafaj dhe Bojaxhi...
Faza është e tillë që nuk ka ende konsultim as me kryesinë as me kryetarin edhe nga kandidatët e tjerë. Ata janë shprehur edhe vetë që ende nuk janë konsultuar me kryetarin e partisë. Ndryshimi mes nesh është që dy zotërinjtë e tjerë, është që ata e kanë shpallur kandidaturën vetë, është e drejta e tyre, nuk kam asgjë kundër kësaj, kurse unë kur më kanë pyetur mediat u kam thënë që po pres propozimet e bazës dhe nëse baza do të kërkojë që unë të kandidoj, gjë që jozyrtarisht e ka bërë, pasi shumë anëtarë të PD-së ma kanë kërkuar një gjë të tillë, por kur kjo të bëhet zyrtare, për mua s'ka asnjë problem të hyj në garë me 3 apo 10 kandidatë.