E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet ligji i “Azilit”, PDK bashkon votat me opozitën

 

Komisioni parlamentar i Integrimit ka hedhur poshtë projektligjin e qeverisë "Për Azilin në Shqipëri". Për rrëzimin e projektit të qeverisë ka ndihmuar qëndrimi i deputetit të PDK-së, Ymer Tola, i cili ka bashkuar votën me opozitën. Katër deputetët e komisionit, Ilir Meta, LSI, Taulant Balla dhe Gramoz Ruçi të PS-së votuan kundër draftit të paraqitur, duke e kontestuar në lidhje me mos përputhjen që ka me standardet që kërkon Bashkimi Evropian. Deputetë e maxhorancës, të mbetur të pakët në numër, Genc Juka i PD-së, Genc Sharku i PR-së dhe Parid Teferiçi i PR, kërkuan që ta kalojnë draftin pavarësisht faktit se qeveria nuk e kishte paraqitur sipas kritereve të BE-së. Kryekomisioneri Ilir Meta ka hedhur për votim nëse drafti duhej të shqyrtohej apo duhet t'i kthehej qeverisë për të ripunuar. Katër deputetët kanë votuar pro idesë për kthimin për rishikim, ndërsa tre deputetët e maxhorancës kanë votuar kundër propozimit të paraqitur. Deputeti socialist Balla u shpreh se projekti i paraqitur nuk është i përputhur me Aquis Comunitare. Ai ka propozuar që hartohet një projektligj i tërë, duke kërkuar që qeveria të mos e paraqesë si një amendim më vete. Sipas Ballës, qeveria nuk ka plotësuar as në minimumin e saj e direktivave të BE-së, në të cilën kërkohej miratimi sa më i shpejti i këtij projektligji. Gjithashtu deputetët e opozitës patën vërejtje dhe në lidhje me faktin se tabela shoqëruese të paraqitura nga qeveria nuk përputheshin me kërkesat e BE-së. Ministrja e Integrimit, Bregu gjatë takimit që pati për Task Forcen, Shqipëri-BE diskutoi edhe në lidhje me nevojën e miratimit të ligjit për Azilet. Komisioni Evropian e ka përcaktuar si pjesë e plotësimit të detyrimeve që ka Shqipëria për miratimin e këtij projektligji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›