Vasili: Zgjedhjet pa standarde, përgjegjësi e rëndë për Edi Ramën
LSI akuzon Kryetarin e PS-së se është kundër standardeve të zgjedhjeve të ardhshme. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili tha dje se Edi Rama do të ketë përgjegjësi të rëndë për prishjen e Kodit Zgjedhor. "Pjesa e administrimit të zgjedhjeve ka brenda saj një pjesë, e cila nuk funksionon, një pjesë e cila do të jetë shkaku kryesor për prishjen e standardeve të zgjedhjeve. I vetmi njeri i qetë dhe i pashqetësuar për prishjen e standardeve të zgjedhjeve në këtë vend është dhe mbetet vetëm Edi Rama. Kështu që, në këtë çast është e qartë për këdo që ky zotni ka marrë përsipër përgjegjësi shumë të rënda të fateve të vendit, të cilat kompromentohen në mënyrë të pariparueshme nga zgjedhjet e prishura, dhe kjo përgjegjësi shkon tek ky njeri", tha Vasili. Sipas tij, "në këto situata dhe në rast se ky refuzim mediatik tashmë i kryetarit të PS është përfundimtar, përgjegjësia e vetme për zgjedhjet dhe standardet e prishura të zgjedhjeve në vitin 2009 mbetet mbi lidershipin e PS dhe ajo e gjithë opinioni publik duhet ta dinë mirë këtë gjë". Vasili bëri publike letrën që Kryetari i LSI-së i dërgoi Edi Ramës, për të biseduar për standardet e zgjedhjeve. "Ne i jemi drejtuar në mënyrë zyrtare PS-së, por nuk kemi një përgjigje zyrtare, edhe në këtë moment që ne po bashkëbisedojmë, lidhur me qëndrimin e tyre ndaj një ftese të caktuar me një objektiv konkret", tha Vasili.