Xhufi, letër Topallit për Kodin: Të japë mendim OSBE
Aristir Lumezi
LSI i kërkon Kryetares së Parlamentit ndërhyrjen e saj për të bërë përmirësimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi përmes një letre, i kërkon Jozefina Topallit angazhimin e ekspertëve të huaj për të certifikuar Kodin e ri tashmë, që Presidenti i Republikës ia riktheu Kuvendit për rishqyrtim. "Duke marr shkas nga kthimi për rishqyrtim të Projekt-Ligjit për Kodin e ri Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë nga ana e Parlamentit të Republikës, do të kërkonim mirëkuptimin Tuaj për të shfrytëzuar këtë moment kohor për t'i bërë Kodit në fjalë përmirësimet e nevojshme, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jenë të pakontestueshme dhe në përputhje të plotë me standardet evropiane", shprehet Xhufi në letrën e tij. Ai kërkon që përmes një konsensusi maksimal dhe ekspertizës nga institucionet e monitorimit të zgjedhjeve, si OSBE-ODHIR, por dhe komisionit të Venecias, të arrihet një përmirësim i plotë i draftit aktual.
"Në funksion të arritjes së një konsensusi maksimal për Kodin Zgjedhor, Ju kërkojmë që, në cilësinë e Kryetares së Kuvendit, t'i drejtoheni për një mendim të specializuar, në një kohë sa më te shkurtër, institucioneve prestigjioze ndërkombëtare, si OSBE/ODIHR, Komisionit të Venecias dhe Misionit Euralius në Shqipëri. Ne gjykojmë se duhet bërë çdo përpjekje për të hapur më tej procesin e miratimit të Kodit Zgjedhor, duke përfshirë këtu edhe thithjen e ekspertizës më të specializuar ndërkombëtare në këtë fushë", shprehet Xhufi. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së e cilëson të domosdoshëm një amendim të Kodit Zgjedhor, veçanërisht në procesin e administrimit të zgjedhjeve, duke i cilësuar zgjedhjet e ardhshme parlamentare të një rëndësie të veçantë për proceset integruese të vendit. "Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 janë të një rëndësie historike për Shqipërinë dhe proceset e saj integruese, dhe ne gjykojmë që klasa politike e vendit duhet të tregojë vullnet dhe përgjegjësi maksimale për t'i realizuar ato sipas standardeve të duhura dhe të pranueshme nga të gjithë. Shpresojmë që shqetësimi ynë të gjejë vëmendjen e duhur prej Jush", përfundon letrën e tij Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së. Lëvizja Socialiste për Integrim ishte partia kryesore që hyri në grevë urie për çështjet e administrimit të votës në komisionet zgjedhore.