E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gjelbërimi në Tiranë,bashkia mashtroi qytetarët”

 

zirina llambro

"Pretendimet e Kryetarit të Bashkisë Edi Rama për rritjen e sipërfaqeve të gjelbra në Tiranë janë gënjeshtra me brirë". Kjo është deklarata që vjen nga Ministria e Mjedisit. Sipas këtij dikasteri, lulishtet e trumbetuara nga bashkia tashmë i përkasin  stilit "alla beton". Në to vetëm pemë e sipërfaqe të gjelbërta nuk ka. Ekspertët e Ministrisë së Mjedisit hedhin poshtë edhe statistikat e bëra publike nga kryebashkiaku Rama. Ata bëjnë thirrje për më shumë përgjegjësi nga institucioni që ai drejton. Kjo pasi mbetet detyrë parësore e pushtetit vendor të shtojë hapësirat e gjelbërta, në funksion të rritjes së cilësisë së jetës së qytetarëve. "Sot Bashkia, pretendon se sipërfaqja e gjelbër në Tiranë është rritur nga 3.1 m2/banor në vitin 2000, në 4.3 m2/banor këtë vit", u shpreh dje zv/ministri i mjedisit Taulant Bino. Ai sqaroi se sipas kësaj logjike, me një llogari të thjeshtë, rezulton që në Tiranë sot ka një hapësirë të gjelbër prej 260 ha. Kjo shifër, krahasuar me vitin 2000, sipas Bashkisë pretendohet të jetë rritur me 110 ha. Çka do të thotë se  sipërfaqja është e barazvlefshme me 36 herë sipërfaqen e Parkut Rinia, i cili ka një sipërfaqe prej 3 ha. "Pra, sipas deklaratave të Ramës, sipërfaqja e gjelbër në kryeqytet i bie të jetë rritur me 36 herë sa Parku Rinia. Si qytetar do të isha i kënaqur që kjo të ishte e vërtetë, por besoj se nuk ka qytetar në Tiranë, që ta besojë këtë", tha Bino. Ai i cilësoi shifrat e bashkisë një gënjeshtër masive, pasi në të vërtetë nuk ka shtim të sipërfaqeve të gjelbra, mungojnë lulishtet masive. "Përkundrazi, të vetmet lulishte të reja të ndërtuara nga Bashkia janë simbolike, e madje e betonizojnë më shumë kryeqytetin", nënvizoi zv/ministri
Ajri dhe rrugët
Nga sa bën me dije Ministria e Mjedisit, Tirana mbetet një nga qytetet më të ndotura në Evropë. Por krahasuar me një vit më parë ka përmirësime. "Vitin e shkuar paraqitej një situatë katastrofike e ndotjes së ajrit, me pasoja të rënda për qytetarët, sidomos fëmijët e të moshuarit. Të gjithë kemi qenë dëshmitarë të një Tirane me rrugë të bllokuara nga punimet në infrastrukturë, që gjeneronin pluhur e ndotje të lartë të ajrit", sqarojnë specialistët e Ministrisë së Mjedisit. Ky dikaster i kërkon pushtetit vendor të bëjë punime të mençura në infrastrukturë dhe jo punime elektorale. Në mënyrë që të mos ndotet mjedisi, duke rënduar cilësinë e jetës së qytetarëve. Një tjetër problem madhor për të cilin përgjegjësinë e ka bashkia janë kontratat me firmat e pastrimit të rrugëve. "Këto kontrata duhet të rishiten, pasi asnjëherë nuk zbatohen siç duhet. Firmat e kontraktuara nga Bashkia kanë për detyrë të lajnë e pastrojnë rrugët e qytetit, gjë që e bëjnë rrallë duke lënë që pluhuri të shtohet më shumë", nënvizojnë ekspertët. Sa i përket menaxhimit të mbetjeve urbane, ata nënvizojnë se veç pjesës qendrore të Tiranës, e gjithë pjesa e mbetur, vuan keqmenaxhimin e tyre. Ministria e Mjedisit vëren se Tirana vuan fillimisht mungesën e një sistemi të aftë të grumbullimit të mbetjeve. Ai aktualisht është i shkëputur, dhe jo efiçent. Përpos kësaj, kryeqyteti vuan gjithashtu në sistemin e përpunimit të mbetjeve. Në këtë mënyrë është kthyer në ndotës për zonat përreth. "Rasti më flagrant i ndotjes së përhapur nga ky qytet është ai i lumit të Lanës, i kthyer sot në epiqendër të ujërave të zeza të papërpunuara. Mjafton të shihet grykëderdhja e Ishmit për të parë se cili është kontributi i vërtetë i Tiranës në cilësinë e mjedisit jo vetëm në zonat përreth, por edhe në zona të tjera të largëta", vërejnë specialistët e Ministrisë së Mjedisit.

Bashkia mbjell 50 pemë te Bulevardi “Zhan D'Ark”

Bashkia mbjell 50 pemë në Bulevardin "Zhan  d'ark" të kryeqytetit. Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është përmirësimi i cilësisë së jetesës së banorëve, si dhe përmirësimi i sipërfaqes së gjelbër. Kryebashkiaku Rama, në kuadër të iniciativës mjedisore "Një qytetar - një pemë" kërkon të ndërgjegjësojë qytetarët, gjithashtu ai ka si synim të sensibilizojë sipërmarrësit privatë dhe institucionet e ndryshme, për të kontribuar në punën e institucionit që ai drejton. "Fillojmë mbjelljen e 3000 pemëve në qytet dhe 3000 të tjerave në Parkun Kombëtar të Liqenit, të cilat e çojnë në mbi 20. 000 numrin e pemëve të mbjella gjatë këtyre viteve, duke forcuar ndjeshëm sipërfaqet e gjelbra. Unë i ftoj të gjithë sipërmarrësit e Tiranës, që të bëhen pjesë e këtij projekti, duke financuar mbjelljen e një peme për çdo punonjës të tyre", tha Rama. Një ndër kontribuuesit kryesor që ndihmoi në përmbushjen e këtij plani ishte Banka Kombëtare Tregtare. m.sh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›