PD, gati databazi i anëtarësimeve të reja
Demokratët bëjnë gati databazin e anëtarësisë së re në të gjithë Shqipërinë. PD-ja prej muajsh po përballet me një fluks të madh anëtarësimesh. Në këtë mënyrë PD-ja u detyrua të bëjë një listë të gjithë anëtarëve të saj e cila do të mbyllet brenda disa ditëve. Zgjedhjet e reja brenda PD-së dhe afrimi i atyre parlamentare, kanë shtuar anëtarësimet e reja të demokratëve në mbarë vendin. Procesi zgjedhor brenda partisë në pushtet po shoqërohet me prurje të reja përmes anëtarësimeve të shumta gjatë muajve të fundit. Dega më e madhe e PD-së, ajo e Tiranës, nga 8 000 anëtarë që ka pasur para një viti, tashmë po shkon drejt shifrës së 10 000 anëtarëve. Po kështu edhe në qytetet e tjera të vendit, ka shtim të numrit të njerëzve që duan të afrohen pranë PD-së dhe alternativës së saj qeverisëse. Sekretari organizativ i PD-së, Flamur Noka, konfirmon se edhe të zgjedhurit lokalë në bazë, pjesa më e madhe e tyre janë prurje të reja. Sipas tij, këto prurje vijnë kryesisht nga shoqëria civile, por ka dhe shumë të rinj të cilët i janë bashkangjitur PD-së përgjatë procesit të ristrukturimit të kësaj partie. Duket se qytetarët shqiptarë shohin qartë tek partia në pushtet alternativën më të mirë për të ardhmen e tyre. Ka shumë prej tyre të cilët jo vetëm kanë preferuar të jenë si anëtarë të PD-së, por të konkurrojnë direkt edhe për postet drejtuese të saj. Kjo është ndier kryesisht në bazën e PD-së, përfshi dhe degën më të madhe, atë të Tiranës. Të zgjedhurit e deritanishëm janë pikërisht prurje të reja, ndërkohë që në garën aktuale zgjedhore brenda llojit, pjesa më e madhe e kandidaturave i përkasin shoqërisë civile. Mirëqeverisja e demokratëve përgjatë këtij mandati qeverisës 4-vjeçar ka përmirësuar ndjeshëm mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, ka bërë progres dhe premton shumë më tepër në të ardhmen. Siç duket, kjo ka ndikuar së tepërmi dhe në fluksin e madh të qytetarëve për t’iu bashkangjitur radhëve të Partisë Demokratike. Aktualisht demokratët janë në një poçes rifreskimi të strukturave të saj të cilat do të startojnë me kuvendin e radhës që në bazë të statutit duhet të mblidhet pas muajit mars. PD-ja fill pas këtij momenti hyn në zgjedhjet e reja parlamentare, ato të 28 qershorit. Zgjedhjet e brendshme janë në funksion të fitores së një mandati të tjetër qeverisës për të djathtën shqiptare.