LDKP, Prokurorisë: Të hapen dosjet e korrupsionit
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive akuzoi dje Prokurorinë se po mban peng dosjet e korrupsionit. Sipas kreut të këtij inspektorati, z. Adriatik Llalla, prokuroria s’ka filluar procedimin penal ndaj zyrtarëve, pasi dyshohet se kanë fshehur pasurinë ose kanë bërë deklarim të rremë për shuma që shkojnë në disa qindra mijëra euro. ILKD-ja bëri dje publike strategjinë e re antikorrupsion të këtij institucioni, por drejtuesi i tij, Adriatik Llalla, ngriti edhe një shqetësim që lidhet me ndjekjen e çështjeve nga ana e Prokurorisë. Në fjalën e tij, kreu i ILDKP-së u shpreh se ka ende probleme të pazgjidhura dhe se mjaft çështje nuk trajtohen në mënyrën e duhur. Ai u shpreh se Inspektorati ka dërguar dosjeve për ndjekje penale, por deklaroi se dosjet nuk kanë pasur produktin e kërkuar nga organi i akuzës. “Pavarësisht angazhimit tuaj të deritanishëm, ka ende probleme të pazgjidhura, ka ende çështje të cilat nuk trajtohen në mënyrën e duhur, ka informacione që nuk mbërrijnë në kohën e duhur. Të gjitha këto ndikojnë në punën tonë të përditshme, ndikojnë edhe në perceptimin e opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar ndaj institucioneve shtetërore”, - deklaroi Llalla. Ai tha më tej se në dosjet e kaluara në Prokurori nga Inspektorati, dyshohet se mjaft zyrtarë kanë fshehur pasuri dhe kërkoi më shumë produkt në lidhje me përfundimin e hetimeve. “Inspektorati i Lartë ka dërguar para organit të akuzës 5 zyrtarë të nivelit të mesëm e të lartë drejtues, për fillimin e procedimit penal ndaj tyre, pasi dyshohet se kanë fshehur pasurinë ose kanë bërë deklarim të rremë për shuma që shkojnë në disa qindra mijëra euro. Por, duhet të jeni edhe ju, hallkat bashkëpunuese me institucionin tonë, që duhet të ofroni më tepër produkt, më tepër raste të dyshuara të konfliktit të interesave”, - tha drejtuesi i ILDKP-së.
Strategjia
Drejtuesi i Inspektoratit bëri të ditur se strategia e re do të jetë më agresive për sa i përket deklarimit të pasurive të zyrtarëve shqiptarë. Ai bëri të ditur se “këto ditë, Inspektorati i Lartë po kryen rakordimet e listave të zyrtarëve që mbartin detyrim për deklarim periodik/vjetor dhe konstatohet që ende ka probleme në sistemimin e zyrtarëve që mbartin detyrim për deklarim”. Plani i ri parashikon se do të rimodelohet dokumenti zyrtar i deklarimit të pasurisë në të cilin sanksionohet detyrimi ligjor për të deklaruar, së bashku me subjektet, edhe fëmijët madhorë të tyre, të cilët gjenden jashtë certifikatës familjare, si edhe detyrimi që subjektet të vendosin emrat e prindërve të tyre dhe prindërve të bashkëshortit ose anasjelltas në formularin e pasurisë. Inspektorati beson se kjo masë do të ndihmojë në evidentimin, parandalimin dhe shmangien e konfliktit të interesave, pasi duke pasur dijeni mbi personat e lidhur me zyrtarin, do të jetë më e lehtë për të zbuluar rastet e përfitimit të paligjshëm nga fondet publike të “personave të lidhur” me subjektin, sipas kuptimit të ligjit. Njëkohësisht, ILDKP-ja ka kërkuar një ndryshim në Kodin Penal për të ashpërsuar masat ndëshkuese edhe për personat e lidhur me zyrtarët që mbartin detyrimin për deklarim sipas ligjit, në rastet kur këta të fundit refuzojnë të deklarojnë ose fshehin pasurinë që kanë të regjistruar në emrin e tyre.