PD-ja angazhim për një opozitë konstruktive, të ndryshojë ligji i zgjedhjeve

Flet Dashamir Shehi, deputet i Partisë Demokratike
Lulzim Basha ka të gjitha mjetet, mundësitë dhe kapacitetet e nevojshme për të ringritur të djathtën shqiptare. Opinioni vjen nga kryetari i i LZHK-së Dashamir Shehi, i zgjedhur deputet në Tiranë nga listat e PD-së. Për t’ia arritur objektivit, Shehi e ka një këshillë për kryetarin e ri të demokratëve. Dashamir Shehi vlerëson se opozita e djathtë duhet të luaj rolin kryesor në reformat thelbësore të funksionimit të shtetit. Janë pikërisht këto reforma, për të cilat Dashamir Shehi kërkon një angazhim dhe një qëndrim unik të opozitës së djathtë gjatë legjislaturës së re që nis më 9 shtator. Një ditë më parë në një prononcim për media deputeti i PD Dash Shehu sugjeroi një opozitë të fortë dhe konstruktive, që duhet përqendrojë energjitë e saj tek reformat kushtetuese. Ai vlerëson se janë të domosdoshme ndërhyrjet në ligjin e zgjedhjeve dhe në ndarjen administrative të vendit. "Janë çështjet kushtetuese, janë çështjet e administrimit të shtetit, janë çështjet elektorale, janë çështjet e administrimit të territorit të Shqipërisë që është një nga defektet më të mëdha ku shteti shqiptar difekton në mënyrë të dukshme, a do vazhdojmë me 400 komuna e bashki? Këto duhet të jenë flamujt e opozitës. Sigurisht kjo nuk është e lehtë sepse deri dje ishte qeverisëse", thotë Shehi. Por kjo lloj opozite sipas Dashamir Shehit kërkon një riorganizim të së djathtës, personazhe dhe ide te reja dhe shmangie të të bërit politikë rurale. Por a mundet Lulzim Basha të ushtroj detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike, me Sali Berishën ende aktiv në politikë? “Unë e gjykoj që zoti Basha i ka të gjitha mjetet e nevojshme. Është kryetar i partisë më të madhe opozitare, është kryetar i bashkisë më të madhe të Shqipërisë. Berisha në një farë mënyre është larguar”, thotë Shehi.
...