Profili i Berishës në Facebook, i pari për rritjen ditore të likes-eve
Berisha: Rrjeti ynë social i FB mbetet njësh për rritje ditore të likes-eve!
Faqja zyrtare e Kryeministrit Sali Berisha në rrjetin social Facebook, vazhdon të jetë më e klikuara. Afro 9 muaj pas lançimit të saj, profili i kryeministrit numëron 616 mijë fansa, duke regjistruar kështu rritjen më të madhe me 1 mijë fansa në ditë, ndërsa rritja më e madhe ditore sipas Facebook-ut, është me 20 mijë like, por kjo faqe i takon një personaliteti të një kombi 20 herë më të madh se sa kombi ynë. Duke falënderuar miqtë e tij në profilin e Facebook-ut, kryeministri Berisha e quan faqen e tij si rrjeti me të vërtetat e tij më tërheqëse. “Të dashur miq, sot ne 616 mijë miqtë e rrjetit tonë të FB kemi një lajm të veçantë. Ne jemi jo vetëm rrjeti me numërin më të madh të likes-eve në FB në fushën politike (në proporcion me popullatën), por ende sot, rreth 9 muaj pas themelimit jemi rrjeti me të vërtetat e tij më tërheqëse. Ne jemi njësh në rritjen ditore në likes! Më 10 gusht ne u bëmë 600 mijë miq, sot jemi 616 mijë, pra jemi rritur mbi 1 mijë likes në ditë. Ndërkohë që rritja më e madhe ditore sipas Facebook Pages Statistics & Number of Fans është me 20 mijë likes. Por kjo e një personaliteti të një kombi 200 herë më të madh se sa kombi ynë. Pra në proporcion rritja jonë ditore në likes është 10 herë më e madhe se sa rritja e parë ditore numerike në likes në FB”- thuhet në mesazhin e kryeministrit.
Ai fton miqtë e Facebook-ut që të shpërndajnë çdo status të profilit të tij, tek të gjithë miqtë e tyre. “Duke u ndjerë krenar me kontributin tuaj në rrjetin tonë, ju ftoj që çdo status të tij t’iu a postoni të gjithë miqve të rrjeteve tuaja sociale. Urime!”, përfundon mesazhin e tij, kryeministri Sali Berisha.