Jorida Tabaku: Tirana e ka një plan urbanistik i cili po zbatohet – Rama e mbajti peng 11 vjet
Reagon nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, znj.Jorida Tabaku ironizon konferencën e Edi Ramës me temë “Shqipëria e Gjeneratës së Re” dhe me fokus planin për zhvillim të Tiranës. Sipas saj, për 11 vjet me radhë, Rama nuk i dinte pikat historike të Tiranës dhe po për 11 vjet nuk arriti t’i jepte qytetit një plan urban zhvillimi. Znj.Tabaku thekson se jo më larg se një vit më parë, Tirana u bë me plan urbanistik dhe ky plan tashmë po zbatohet për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë dhe jo klienteliste. “Rama paskësh ftuar arkitektë e urbanistë për të parë pikat historike të Tiranës që për 11 vite nuk i dinin ku ishin dhe për të sugjeruar planin për zhvillimin. Z. Rama harron që Tirana e ka një Plan Urban të miratuar, një plan që nuk arriti t’ia japë qytetit për 11 vite dhe me në fund vjet u bë realitet, një plan që qytetarët e Tiranës më në fund po fillojnë ta zbatojnë dhe një mundësi për të zhvilluar pronat në mënyrë të barabartë e jo klienteliste!”- deklaron nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku. Partia Socialiste pritet të zhvillojë më 26 dhe 27 një konferencë me titull “Shqipëria e Gjeneratës së Re”, që sipas njoftimit të shpërndarë nga zyra e shtypit të kësaj partie, do të fokusohet në ndërtimin e një vizioni të ri për një zhvillim të qëndrueshëm urban dhe formësimin e një modeli të ri ekonomik për një zhvillim të qëndrueshëm. Synimi i kësaj konferencë, sipas PS është të grumbullohen eksperienca të suksesshme ndërkombëtare në mënyrë që të gjenden zgjidhjet më të mira për sfidat madhore me të cilat përballet Shqipëria.
...