E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja, asnjë nismë konkrete kundër Pangos

Grupi Parlamentar i PD-së nuk ka ndërmarrë nismë për heqjen e imunitetit. Pango vazhdon të mbajë poste në Partinë Demokratike, përveç mandatit

Eljona Ballhysa
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka ndërmarrë asnjë nismë ligjore për heqjen e imunitetit të deputetit Ylli Pango. Po kështu, edhe lidershipi i PD-së nuk ka mbledhur asnjë strukturë të partisë për ta përjashtuar Pangon nga postet që ai mban në këto struktura. Pavarësisht se i gjithë Grupi Parlamentar i PD-së u distancua nga veprimi skandaloz i ish-ministrit të Kulturës duke kërkuar heqjen e imunitetit të tij, madje pati edhe nga ata që kërkuan që Pango të heqë dorë nga mandati i deputetit, deri tani kjo strukturë e lartë vendimmarrëse e PD-së nuk ka ndërmarrë asnjë nismë konkrete kundër anëtarit të saj
Ylli Pango.
Nismat
Burimet nga ky grup bëjnë të ditur se nuk ka asnjë nismë që të kërkohet heqja e imunitetit të Pangos apo përjashtimi i tij nga Grupi Parlamentar i PD-së. Madje, ata citojnë deklaratën e vetë Pangos, i cili është shprehur se do të heqë dorë nga imuniteti. Ndërkohë që po këta burime bëjnë të ditur se nuk janë lajmëruar për ndonjë vendim partie për përjashtimin e Pangos nga posti i anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, një ndër strukturat e larta vendimmarrëse të kësaj partie. Duket se të gjitha akuzat dhe qëndrimet anti-Pango të deklaruara nga deputetët e PD-së gjatë ditëve të fundit janë vetëm një shou mediatik, një fasadë që i ngjan autokritikës se dikurshme, për të pastruar imazhin e partisë.
Statuti
Në Statutin e PD-së është e shkruar qartë në Nenin 14 të tij, në pikën “c” se thyerja e disiplinës së partisë sjell kufizime të të drejtave të anëtarit të PD-së si dhe marrjen e sanksioneve të tilla si pezullim apo përjashtim. Gjatë fjalës së mbajtur para disa ditësh në foltoren e Kuvendit, numri dy i Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, deklaroi se ish-ministri Pango ka shkelur mbi moralin e Partisë Demokratike. “Zotëria në fjalë ka tradhtuar moralin e PD-së, ka tradhtuar qytetarët shqiptarë që e kanë votuar. Ai nuk mund të trajtohet kaq lehtë sa e trajtoni ju. Si kryetare e Kuvendit nuk kërkoj heqjen e imunitetit të tij, por i kërkoj të lëshojë mandatin, se mandati i tij nuk përfaqëson asnjë qytetar shqiptar që e ka votuar”, - është shprehur Topalli. Kjo deklaratë e Topallit bie në vesh të shurdhët në rast se nuk merret asnjë veprim konkret për të dënuar anëtarin e PD-së Pango, sipas kushtetutës së kësaj partie. “Thyerja e disiplinës së partisë dhe mosplotësimi i detyrimeve të anëtarësisë sjell sanksione dhe kufizime të të drejtave të anëtarit të PD-së. Procedurat e dhënies së sanksioneve për anëtarët përcaktohen në Rregulloren e Brendshme të PD-së. Masat që mund të merren ndaj anëtarëve janë: pezullimi dhe përjashtimi. Këto masa mund të apelohen përpara komisionit disiplinor. Ato mund të bëhen publike”, - shkruhet në Nenin 14 të Statutit të PD-së. Pikërisht ky nen është zbatuar në rastin e përjashtimit të ish-deputetit të PD-së, Spartak Ngjela. Për përjashtimin e Ngjelës u mblodhën menjëherë strukturat e PD-së për të zbatuar statutin. Ngjela u shkarkua nga PD-ja për publikimin në media të një videoje, e cila demaskonte kreun e PD-së, Sali Berisha.

9 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›