E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj, akuza LSI-së, kundërpërgjigjet Pesha: Ai ia kalon për imoralitet edhe Pangos



Kreu i G99-s, Erion Veliaj, ka vijuar me akuzat në drejtim të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Veliaj ka prezantuar dje grupin e vullnetarëve të G99-s për komunitetin, gjatë veprimtarisë për rehabilitimin dhe pastrimit të një sheshi lodrash në Lagjen Nr. 4. Pas lançimit të këtij aktiviteti, Veliaj nuk ka ngurruar të akuzojë kreun e LSI-së, Ilir Meta, por edhe kryeministrin Sali Berisha. “Është e trishtueshme që pas 18 vitesh kemi vetëm shkatërrim dhe duhet të pastrojmë ne të rinjtë atë që kohërat e Berishës dhe Metës na kanë lënë pas. Duhet energji pozitive qytetare për të përballur energjinë negative të konventave budallaqe të mllefit për të cilat shpenzohen fonde pa fund. Këto fonde do të duheshin pikërisht për të rigjallëruar lagjet dhe jetën në komunitete. Do të jemi çdo të shtunë në aksione të tilla dhe mesazhi ynë sot është që puna vullnetare në komunitet nuk ka dalë jashtë mode. Është ky solidaritet dhe aktivizëm qytetar që do të fitojë më 28 qershor”, - përfundoi Veliaj.
Por deklarata e kreut të G99-s ka sjellë reagimin e zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Besian Pesha. Pesha tha se janë të turpshme akuzat e vazhdueshme të Veliajt. Ai tha se Veliaj nuk është përfaqësuesi i denjë i rinisë shqiptare, ndërkohë që e cilësoi Veliajn më të pamoralshëm sesa Pango. “Ky leifenist i kohëve moderne sot na nxori mallin e të shtunave komuniste, ku sigurisht nuk mund të mungonte fletërrufeja e radhës. Ndiej mëshirë për Erionin, që është kthyer në një kone grindavece, që vërtitet këmbëve të Edi Ramës, por jam shumë i zëmëruar me faktin se miliona euro të donatorëve të huaj dje po përdoren sot për të mbrojtur lakuriqësinë politike dhe morale të Edi Ramës dhe kones së tij. Roli që ka marrë përsipër të luajë Erioni ia kalon dhe Ylli Pangos për imoralitet. Dua t’u kujtoj shqiptarëve se Erioni and Co” nuk përfaqësojnë aspak rininë shqiptare. Shqipëria ka sot të rinj të aftë, të mirëshkolluar e plot me ide, të cilët punojnë çdo ditë për të dhënë zgjidhje problemeve të vendit”, - tha Pesha.

9 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›