“PD-ja, e sigurt në fitoren e 23 qershorit, Ramës do ia ngecim halat një nga një në fyt”
Kreu i Ekzekutivit zhvillon disa takime në Lezhë
Kryeministri Sali Berisha tha dje në Lezhë se, “Partia Demokratike është e sigurt për fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit”.
Nga Lezha ku përuroi segmentin rrugor Kodhel-Dajç-Blinisht, kryeministri Sali Berisha, këtë siguri e bazon në vizionin e Partisë Demokratike për 4 vitet e ardhshme të Shqipërisë së zhvilluar, punësimit dhe Integrimit. “Ne ecim drejt 23 qershorit të sigurt në fitoren tonë, jo vetëm se ne në mbarë vendin nga jugu në veri nga perëndimi në lindje të vulosim, të firmosim ndryshimin e madh, por sepse ne kemi hartuar vizionin e shkëlqyer për 4 vitet që vijnë të Shqipërisë së zhvilluar të punësimit, të integrimit. Ne kemi sot aleancën më të gjerë në historinë e vendit më të vërtetën në histori. Qendra dhe e djathta shqiptare u bashkuan rreth atyre parimeve, të cilat kanë vënë që ky vend të dalë nga honet e mjerimit në horizontet e zhvillimit”, deklaroi Berisha, ndërsa për aleancën tjetër tha:
“Aleanca tjetër cila është? Jua them unë, si ka thënë kryetari, por si do ju vinte ta thosha unë Sali Berisha. Do thosha fundërrina bashkohuni kundra qelbësirës. A do ju duket një fjalë e papërshtatshme, që për javë të tëra hapën shtypin dhe mediat, ku thuhej, ‘qelbësira të bashkohemi për të rrëzuar Berishën’. Nuk ua kam thënë unë këtë, por ideologë kryesore të tyre pasi u bashkuan, u mbetën halat e Lalzit ne fyt. Atë ia thashë unë atij, një nga një do ia ngecë halat atij”.
Kryeministri Berisha në fjalën e tij duke akuzuar kundërshtarin e tij politik, Edi Rama, dhe aleatët e tij tha se, “aleanca e tyre nuk është e vërtetë, 4 parti komuniste, 3 parti serial killer e hajdutësh, shikoni listën nga 35 parti që ka në listë, 25 nuk kanë qenë kurrë në zgjedhje. Merrni listën e 2009, mashtron me emra ai le të merret me mashtrime e trillime, se ne merremi me halle e derte, me fitoren e shkëlqyer të fitores së 2013”.
Kryeministri ka akuzuar kreun e PS-së Edi Rama se frikën më të madhe e ka nga vota e qytetarëve.
Kryeministri Berisha ftoi kreun e PS, Rama të bashkëpunojë me maxhorancën për të mundësuar votimin e emigrantëve jashtë vendit.
“Edhe njëherë këtu e ftoj z. Rama të votojmë së bashku ligjin për votimin e emigrantëve. Ti nuk e bën këtë, me gjithë frikërat që ke, frikën më të tmerrshme e ke nga vota, nga kjo nuk të shëroj dot, do të shërojnë shqiptarët . Ti në kokë mban një Shqipëri që nuk ekziston. Të ka mbetur ora në kohën e Selam Musait, se sot shqiptarët kanë një rrugë, forca e tyre vendimi më i rëndësishëm qëndron në votën e tyre të lire”, deklaroi Kryeministri Berisha.
Gjatë ceremonisë së përurimit të rikonstruksionit të rrugës Kodhel-Dajc-Blinisht në Lezhë, Berisha theksoi se, “kjo rrugë lidh Dajçin dhe Blinisht me superstradën, si dhe ndihmon fermerët e kësaj zone për të bërë të mundur shfrytëzimin e potencialeve të madha të Zadrimës. Ky projekt ndoshta 6 vjet më parë ishte jashtë çdo realiteti, shumë të paktë ishin ata që besonin se mund të ecej në këtë projekt. Paraardhësit tanë në pushtet, i kishin shpallur zona të asgjësë , zona në të cilat nuk duhej të investohej”, tha Berisha.
Sipas tij, nga 2006 deri tani në Shqipëri janë ndërtuar e rindërtuar mbi 10 mijë km rrugë rurale.
Kreu i qeverisë i premtoi qytetarëve të Lezhës se qeveria do të asfaltojë çdo km rrugë kudo që jetojnë shqiptarët.
Kryeministri Sali Berisha inspektoi dje edhe një plantacion me shegë në komunën Dajç, Zadrimë.
Gjatë këtij inspektimi, Kryeministri Sali Berisha theksoi dje se “se për qeverinë investimet në zonat rurale janë përparësi absolute. Në katër vitet që vijnë ne do të bëjmë gjithçka që fermerët të kenë sistemet më moderne të vaditjes”.
Duke përgëzuar sipërmarrësin për këtë projekt, Berisha tha se “ne pak ditë më parë kemi lëvruar gjysmë milionë dollarë të tjerë për kultivimin e shegëve. Kjo është rruga e rritjes së prodhimit, rruga e rritjes së të ardhurave, rruga e krijimit të sipërmarrjeve të fuqishme bujqësore dhe rruga e punësimit”.
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje edhe në inaugurimin e shkollës së mesme të bashkuar “Gjovalin Gjadri”, në Gjadër, Lezhë.
Rikonstruksioni i saj është financuar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, një investim me vlerë 22 milionë lekë. Kjo shkollë ka gjithsej 299 nxënës, 36 fëmijë në sistemin parashkollor, 193 nxënës në shkollës 9 –vjeçare dhe 70 nxënës shkolla e mesme.
Kryeministri Berisha u shpreh se për qeverinë arsimi ka qenë dhe do të jetë çështja më serioze dhe më themelore.
Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet e tij për këtë shkollë, si edhe për cilësinë e mësimdhënies në të.