E Diel, 1 Nëntor 2026

“PD-ja, e vendosur për mandatin e tretë qeverisës”

07-04-2013 / Gazeta 55

Ministri Genc Pollo takim me strukturat e FRPD-së në Berat
 
Ministri i Inovacionit, njëkohësisht kryetari i Grupit të Punës së deputetëve të PD-së për qarkun e Beratit, z. Genc Pollo, ka zhvilluar një takim me strukturat e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Berat. Gjatë fjalës së tij, deputeti Pollo është ndalur në rëndësinë që ka rinia në politikat e Partisë Demokratike, si brez që ka pasur, ka dhe do të ketë vëmendjen e duhur të qeverisë së kryeministrit Berisha, duke pritur, nga ana tjetër, nga ky brez mbështetje më të madhe, e cila asnjëherë nuk ka munguar.
Pollo ka folur edhe për zhvillimet e fundit për sa i përket largimit të Lëvizjes Socialiste nga koalicioni qeveritar dhe bashkimi me PS-në, duke thënë se, “është interesante se në qarqet e PD-së, në bazën e PD-së dhe më gjerë në opinionin publik, ka një ndjenjë çlirimi, ka një ndjenjë optimizmi, ka një ndjenjë që tani jemi të qartë para elektoratit, jemi të qartë para opinionit publik dhe mund të mbajmë përgjegjësitë tona në mënyrë më të rregullt dhe në bazë të meritave që kemi të fitojmë në 23 qershor të këtij viti një mandat të tretë të Partisë Demokratike dhe të aleatëve të saj”.
Më tej, Pollo është shprehur se ne vijmë në fund të mandatit, në zgjedhjet parlamentare të qershorit me një sërë arritjesh, me një sërë suksesesh, me merita të padiskutueshme dhe, mbi këtë bazë, Partia Demokratike kërkon votat e elektoratit dhe kërkon një mandat të tretë që vendi të mos dali nga kursi i zhvillimit, nga kursi i integrimit evropian, i prosperitetit për gjithsecilin. Në fund të fjalës së tij ministri dhe deputeti Pollo ka folur edhe për rezultatin që Partia Demokratike pritet të marrë më 23 qershor në qarkun e Beratit, duke thënë se, “Në Berat ne arritëm që në vitin 2009 nga një deputet të marrim 3, 3 ndër 8, dhe, jo vetëm që tre i kemi të sigurt, por ne synojmë të marrim vota për të marrë deputetin e katërt”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›