E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeverisja e PD nuk do të rrisë asnjë taksë”

07-04-2013 / Gazeta 55

Deklarata e ministrit të Financave, Ridvan Bode

Qeverisja e Partisë Demokratike nuk do të rrisë asnjë taksë, deklaroi ministri i Financave, Ridvan Bode, në rrjetin social “Facebook”. Bode sqaroi edhe se ndryshimet e fundit të propozuara në ligjin “Për taksat kombëtar” parashikojnë përgjysmimin e taksës vjetore të automjeteve të përdorura. Efekti në buxhet nga  ndryshimet që parashikohen në ligjin “Për taksat kombëtare” për përgjysmimin e taksës vjetore të automjeteve llogaritet në vlerën e 2.5 miliardë lekëve, thekson ministri Bode. Ndryshimi i parë i propozuar konsiston në përgjysmimin e masës së taksës, ndryshimin e vlefshmërisë së saj dhe detyrimin për pagimin në kohë të saj. Përgjysmimi i taksës fikse për të dy llojet e karburanteve, respektivisht nga 25 lekë në 12.5 lekë për naftën dhe nga 20 lekë në 10 lekë për benzinën, bën të mundur përgjysmimin e taksës vjetore të mjeteve të përdorura që pronari i mjetit paguan. Aktualisht taksa e automjeteve të përdorura është vjetore dhe vlen për vitin kalendarik në të cilin ajo paguhet.
Ndryshimi i propozuar bën të mundur që vlefshmëria e taksës të bëhet 365 ditë, e njëjtë me afatin e siguracionit të mjetit TPL dhe me afatin e vlefshmërisë së Kontrollit Teknik Vjetor. Janë parashikuar gjithashtu penalitete për pronarët e mjeteve, të cilët nuk kryejnë pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, në masën 5 për qind të shumës së papaguar të çdo muaji, por jo më shumë se 25 për qind për çdo vit. Një tjetër ndryshim në nenin 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, parashikohet falja e të gjitha detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor për mjetet e sekuestruara apo të konfiskuara me vendim të formës së prerë të Gjykatës, të cilat i kalojnë në administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara për qëllime përdorimi apo rishitje.
Në dispozitat kalimtare është parashikuar që pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, të gjithë pronarët e mjeteve që nuk kanë paguar taksën vjetore të mjeteve të përdorura për vitin 2013, pavarësisht kur e kanë pasur datën e pagesës së taksës, do të paguajnë sipas këtij ligji. Aplikimi i penalitetit për vonesë në pagesën e taksave, për të gjitha mjetet që u ka kaluar afati i vlefshmërisë së taksave, pavarësisht kur e kanë kryer pagesën e taksave, do të fillojë nga data 1 janar 2014.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›