E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja, fillon garën për kryetarin e degës së Tiranës

Për herë të parë Partia Demokratike nis një garë të vërtetë zgjedhore për drejtimin e degës së Tiranës. Gara e cila prej muajsh ka nisur duket se ka zyrtarizuar katër kandidatët e parë që brenda vitit tjetër do të marrin timonin e makinës demokrate të kryqytetit. Besnik Mustafaj do të ishte deputeti i parë, ku vetëm pak muaj pas dorëheqes nga ministër i jashtëm, me motivacionin se ndjehej i lodhur, vetëshpalli kandidaturën e tij për kryqytetin duke shpalosur edhe programin e tij për përmirësimin e jetës politike të degës më të madhe. Vetë Mustafaj ka lënë të kuptohet, se nuk është konsultuar me Kryeministrin Berisha, i cili nga ana tjetër pritet të nxjerrë edhe rivalin e ish-ministrit të Jashtëm. Edi Paloka ishte një tjetër deputet demokrat që shpalli kandidaturën e tij për PD-në e kryqyetetit duke sulmuar mënyrën e prezantimit të Mustafajt. Sipas Palokës vetë-shpallja nuk është gjetja më e zgjuar pasi duhet të jetë seksionet ato që duhet të propozojnë emrin e kandidatit. Përvec këtyre dy figurave të vjetra të Partisë Demokratike dy emra të rinj kanë dalë në startin e kësaj fushatë zgjedhore brenda-partiake. Kreu i KESH-it Gjergj Bojaxhi ka shpallur kandidaturën e tij për degën e Tiranës ndërsa ka deklaruar se do të zhvillojë një garë të fortë për këtë post. Madje drejtori aktual i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, është parë së fundi shpesh në disa dalje publike dhe në krah të kryeministrit Berisha. Ish-Minsitri i Drejtësisë Aldo Bumci, anëtarë i Komitetit të Orientimit të Politikave është një tjetër figurë që kërkon drejtimin e degës më të madhe të partisë demokratike. Ndërkohë në tetor të këtij viti, pas një mbledhje kryesie anëtarët e kësaj partie kanë vendosur edhe grupet e punes për të gjithë qarqet, ku risia e kësaj mbledhje ka qenë pikërisht vendimi që grupin e punës për Tiranën ta kryesojë vetë kryetari i Partisë, kreyministri Sali Berisha. Në përbërje të këtij grupi i cili është edhe më i madhi, do të jenë shumica e deputetëve të grupit parlamentar. Vendimi i Berishës për të drejtuar grupin e Tiranës bëhet edhe më interesant pas shpalljes së kandidaturës së Besnik Mustafajt për të drejtuar degën e kryeqytetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›