PS, Bushati: Po përkeqësohet niveli i jetesës

Tiranë, 7 Dhjetor, 12:55, NOA - Partia Socialiste ka akuzuar sot sërish qeverinë për ekonominë, por këtë radhë për rënien e dërgesave të emigrantëve nga jashtë duke deklaruar se, nuk është marrë asnjë masë.
Ervin Bushati, nënsekretar i PS, për ekonominë tha gjatë një konference shtypi se, “ekonomia në vend është tepër larg entuziazmit dhe premtimeve pa bazë të kryeministrit Berisha. Banka e Shqipërisë raporton një tkurrje të ndjeshme të ekonomisë dhe të mirëqenies së popullatës në vend, në deklaratën e fundit për zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë”.
Sipas tij, “dërgesat e emigrantëve nga jashtë në ndihmë të familjeve të tyre kanë një rënie të fortë prej 13 për qind, ndërkohë që investimet e huaja janë pothuajse të ndaluara. Kontributi që japin këto faktorë jetik të ekonomisë, në mirëqenien e qytetarëve, vështirëson parashikimet optimiste për një jetë më të mirë në vend. Vetëm këta dy sektorë në këtë gjendje që paraqiten dhe në bazë të peshës që mbajnë, mund të ndikojnë në një rënie prej 2 për qind të ekonomisë shqiptare.
Qeveria duhet të parashtrojë dhe të ushtrojë një plan të detajuar masash, për të parandaluar krizën ekonomike në zhvillim. Shteti ka për detyrë të mbrojë mirëqenien e qytetarëve të vet, në forma dhe metoda që i paraprinë situatës ekonomike që po përjetojmë”.
“Mënyra se si projekton dhe reagon qeveria Berisha përballe vështirësive ekonomike në rritje, bën të dyshosh për seriozitetin dhe angazhimin e saj në mbrojtje të interesave të shtetasve në vend. Papërgjegjësia qeverisëse në këto kushte, bën dhe më të vështirë jetën sot: vështirësi ekonomike që rëndojnë me çmime më të larta në treg dhe të ardhura më të ulëta për çdo familje shqiptare.
Programi i ri i Partisë Socialiste parashikon një zhvillim ekonomik, që do të mbrojë nivelin e jetesës duke shpërndarë mirëqenien për të gjithë qytetarët e këtij shteti, dhe jo vetëm për njerëzit pranë pushtetit”, përfundoi Ervin Bushati.
c.a/NOA