E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-ja, haptazi a fshehurazi, duhet ta ndalë këtë rrugë drejt greminës

Shqetësimi sa vjen e shtohet, lidhur me përdorimin e të gjithë pushtetit politik, për të mbrojtur një të dyshuar për evazion fiskal dhe pastrim parash. U bë më shumë se një javë që, kryeministri Berisha, ka hedhur në betejë gjithkënd që del dhe nuk del vullnetar nga radhët e Kuvendit, qeverisë dhe parties, nën moton: “Ose Fazlliç, ose hiç”. Kjo, natyrisht, që do të ketë një çmim për të.

Por, problemi më i ri që po del brenda PD-së, është se njësoj po marrin kosto dhe ata që po dalin vullnetarë për të mbrojtur Fazlliçin. Pas deklaratave të ambasadës së SHBA-së në Tiranë dhe gjithë ambasadorëve të BE-së, u pa një linjë tjetër zyrtare ndaj tyre. Njerëzit e Berishës që u ftuan t’i komentojnë këto deklarata, i pranuan ato si vërejtje të drejta dhe fajësuan për këtë Bujar Nishanin dhe Enkelejd Alibeajn. Pra, tendenca e qartë, është të tregohet se, vullnetarët që dalin në mbrojtje të Fazlliçit, e bëjnë këtë me kokë të tyre dhe se, Berisha, nuk është dakord me ta.

Megjithëse shumë perverse dhe e pabesë si taktikë politike, ajo është tipike e një kryeministri që ka hyrë në spiralen e mosmbrojtjes dot të sekserit të familjes së tij. Mjaftoi një deklaratë e SHBA-së dhe BE-së dhe ai hodhi poshtë dy ministra, sikur të mos i kishte urdhëruar ai në telefon të bënin atë marrëzi që bënë.

Natyrisht, diplomatët perëndimorë në Tiranë, e kanë të qartë se çfarë ka ndodhur dhe kush është duke e mbrojtur Fazlliçin. Ata, siç e theksuan edhe dje, janë të interesuar që prokuroria të hetojë e qetë dhe të arrijë në përfundime të drejta.

Zoti Berisha ka shkelur parimet e tij, ka dhunuar besimin e qytetarëve se ai do të luftojë korrupsionin dhe po bën ç’është e mundur që Fazlliçi të mos shkojë para drejtësisë. Ai po kërcënon prokurorinë, po përpiqet të shkelë Kushtetutën dhe të shpikë hetime ndërkombëtare, po konsumon pushtetin e shumicës për hir të Fazlliçit dhe po përpiqet ta sabotojë hetimin e prokurorisë duke nisur hetime paralele nga Ministria e Brendshme.

Duke bërë këtë, ai ka shkelur premtimin për moskapje të shtetit prej trafikut, ka shkelur të drejtën e qytetarëve shqiptarë që të jenë të barabartë para ligjit, ka shkelur rregullat e lirisë ekonomike dhe konkurencës së lirë, duke bërë që, një sekser, të bëjë 50 milionë euro për tre vjet, dhe të paguajë 20 mijë lekë sigurime shoqërore në muaj e 100 mijë lekë tatime mbi fitime, edhe ato pa i likuiduar.

Shpresoj që dikush hapur e dikush heshturazi, ta ndalë këtë rrugë drejt greminës, në të cilën po shkohet për të vdekur me emrin e Damir Fazlliçit në gojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›