Debati i tretë televiziv Obama-Mekein
Obama dhe Mekeini në debatin e fundit
Rruga e Mekeinit drejt Shtëpisë së Bardhë; e përpjetë dhe e vështirë
Dy kandidatët për president në garën për Shtëpinë e Bardhë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë zhvilluar në qytezën universitare të Hofstra University, në Long Island, Nju Jork, debatin e tyre të tretë dhe të fundit televiziv, para zgjedhjeve të 4 nëntorit.
Debati konsiderohej i rëndësishëm për zhvillimin në të ardhmen e fushatës së dy senatorëve, republikanit 72-vjeçar, John Mekeinit, dhe demokratit 47-vjeçar, Barak Obamës.
Në debatin e zhvilluar, dy kandidatët parashtruan politikat e tyre për të nxitur ekonominë, në mënyrë që të kapërcehet kjo krizë.
Ende në minutat e para të debatit, rivalët presidencialë u përfshinë në replika të ndezura lidhur me taksat. Ndryshe nga takimet e tjera, debati ka qenë më i nxehtë: Obama dhe Mekeini shkëmbyen një sërë akuzash mbi një numër çështjesh, që nga politikat që kanë parashtruar në përgjigje të krizës ekonomike, e deri tek taktikat gjatë fushatës presidenciale në debatin e tretë dhe të fundit mes tyre. Një ton më agresiv, me komunikim më të drejtpërdrejtë mes kandidatëve, e dalloi këtë debat nga debatet e mëparshme. Në një kohë kur kriza financiare, që ka mbërthyer jo vetëm bursën amerikane, por edhe tregjet e aksioneve, ka tronditur besimin e investitorëve dhe konsumatorëve tek ekonomia, edhe debati u përqendrua në këtë krizë si temë kryesore.
Zoti Mekein, që ndodhet pas zotit Obama në anketat e opinionit publik, duhej, sipas analistëve, të përpiqej të përmbyste anketat e deritanishme, ndërsa zoti Obama duhej të ruante pozicionin e tij kryesues.
Zoti Mekein kishte nevojë për një paraqitje më të mirë për të ndaluar dhe kthyer mbrapsht kryesimin e zotit Obama në anketat e opinionit publik.
Një anketë kombëtare më e fundit, i jepte zotit Obama, një kryesim prej 53 përqindësh, ndaj 39 të tillë, që kishte zoti Mekein.
Sondazhet nxjerrin Obamën në krye
Menjëherë pas debatit, rrjetet kryesore televizive amerikane, botuan të dhëna nga sondazhet e tyre dhe, ato, treguan se demokrati Obama, doli më mirë në debat.
Obama dhe Mekeini zhvilluan debatin e fundit televiziv.
Mendimi ishte se zoti Mekein, nuk mundi të largohej nga
fushata negative. Sipas anketave para debatit, më shumë se 60 përqind e amerikanëve, mendojnë se zoti Mekein është më negativ në fushatë kundrejt rreth 30 përqind për Obamën.
Mendime të pjesëmarrësve në auditor
“Mendoj që Mekein bëri një punë të mirë, mendoj se të dy ishin mirë,” - tha një votuese, që pranoi se ende ishte e pavendosur për votën e saj.
“Mendoj se Barak Obama është folës shumë i mirë,” - shtoi ajo.
“Si në substancë, ashtu edhe në stil, Barak Obama bëri një punë të mirë,” - shtoi një tjetër.
“Mendoj se senatori Mekein, nuk mundi të vendoste nëse donte të ishte kritik i inatosur, duke e sulmuar Obamën për gjëra personale, apo të fliste për substancë dhe, paqartësia, në këtë aspekt, e minoi paraqitjen e tij,” - vuri në dukje një tjetër pjesëmarrës në audiencën e debatit.
Fokusi i debatit
Të dy kandidatët ishin të ashpër me strategjitë e njëri-tjetrit, duke theksuar nga ana tjetër që strategjia e tyre do të ishte më e suksesshme.
Pamje nga debati Obama-Mekein
Zoti Obama, disa herë u vu në pozicion mbrojtës, ndërsa zoti Mekein ngriti çështjen e debatueshme të lidhjeve të Obamës me një person që, në rininë e tij, ishte pjesëtar i një grupi anarkist, apo lidhjet me një organizatë që akuzohet për mashtrim në regjistrimin e votuesve.
Zoti Obama i hodhi poshtë akuzat dhe iu përgjigj duke theksuar se, fushata e kundërshtarit të tij, ishte negative dhe e mbarsur me sulme personale.
Ai tha se dëshiron të diskutojnë çështjet dhe të kritikojnë njëri-tjetrin për çëshjet e rëndësishme të vendit.
Ekonomia
Debati i tretë, ashtu si edhe pritej, u përqendrua në gjendjen e ekonomisë dhe, të dy kandidatët, paraqitën planet e tyre të reja për ekonominë që i kishin publikuar disa ditë më parë.
Republikani Mekein, ka propozuar 52 miliardë dollarë shtesë në ulje taksash për të ndihmuar pensionistët, depozitat e të cilëve, janë goditur nga kriza e kredive, ndërsa zoti Obama dëshiron një paketë shtesë shpenzimesh prej 60 miliardë dollarësh për të ndihmuar shtetet amerikane, të papunët dhe kompanitë për të krijuar vende të reja pune.
Plani Mekein
- Qeveria amerikane do të blejë huatë në vështirësi dhe do të ofrojë rifinancim me vlera më të ulëta, për t’i lejuar huamarrësit të përfitojnë përqindje interesi më të favorshme.
- Një përqindje të re më të ulët takse federale prej 10 për qind mbi të ardhurat e pensioneve private në vitin 2009-2010.
- Zgjerim të uljes së taksave për humbjet në investime në 2008-2009.
- Përfitime papunësie pa taksë për dy vjet.
- Njerëzit me llogari pensioni, të bazuar në aksionet, të lejohen të shtyjnë tërheqjet, deri sa të përmirësohen tregjet.
Plani Obama
- Do të pezullojë marrjen e shtëpive nga disa banka për 90 ditë.
- T’u japë kompanive 3000 dollarë lehtësim ndaj taksave për çdo vend pune që krijojnë.
- Premtoi t’i lejojë njerëzit të tërheqin deri në 15 për qind nga planet e tyre të pensionit, apo 10 mijë dollarë, pa ndëshkim financiar.
- Të krijojë një fond federal për tu dhënë hua qeverive të shteteve dhe qyteteve.
Mekeini sulmoi planet e Obamës, duke theksuar fjalën kyçe “shpenzime”
Planet e Obamës, sipas zotit Mekein, ishin “takso dhe shpenzo!” dhe, paralajmëroi se do të ishte katastrofike të rrisje taksat gjatë një rënieje ekonomike. Xhon Mekeini akuzoi zotin Obama se po zhvillon luftë ndërklasore me propozimin e tij për t’ua rritur taksat shtresës më të pasur të popullsisë.
Në përgjigje të akuzës së rivalit republikan, kandidati demokrat Obama, nënvizoi se, të dy kandidatët duan të ulin taksat, megjithëse ka një dallim të madh mes segmentit të popullatës që do të përfitonte nga këto shkurtime taksash, duke e akuzuar zotin Mekein se synon të favorizojë amerikanët e pasur. Zoti Mekein tha se amerikanët po vuajnë dhe njëkohësisht janë të zemëruar si rezultat i gjendjes aktuale ekonomike.
Senatori Obama u përpoq ta lidhte senatorin Mekein me “politikat e dështuara ekonomike të presidentit Bush” dhe tha se, marrja e kontrollit nga një demokrat, do të zgjidhë problemet ekonomike.
Përveç ekonomisë ata u përplasën edhe për çështjen e shërbimit shëndetësor, arsimin, abortin, që kishin një relevancë të theksuar të brendshme.
Energjia dhe klima
Të dy kandidatët ishin në favor të ndërmarrjes së hapave për rritjen e pavarësisë energjetike amerikane, por ndryshonin në mënyrat dhe afatin e arritjes së këtij objektivi.
Zoti Mekein tha se Shtetet e Bashkuara mund të eliminojnë varësinë nga nafta e importuar nga Lindja e Mesme dhe Venezuela brenda një periudhe prej 7-10 vjetësh. Ai theksoi përsëri planin e tij për 45 centrale të reja bërthamore, si dhe për investime në energjinë alternative, si dhe në teknologji moderne për qymyrgur të pastër.
Zoti Obama dha parashikimet e tij për një periudhë 10-vjeçare, për të përgatituar Amerikën që të dalë nga varësia e naftës së huaj. Ai theksoi nevojën për të zgjeruar prodhimin në vend, duke shtuar se, megjithëse duhet të shqyrtohet mundësia e shpimeve në det, përparësia duhet të jetë energjia e ripërtëritshme, si ajo e erës, diellore dhe bio-karburet.
Ndërsa mbeten edhe rreth tri javë nga dita e zgjedhjeve, teorikisht ka ende kohë që kandidati republikan Mekeini, ta kthejë fushatën në favor të tij.
Por, shumica e analistëve në SHBA, thonë se rruga e zotit Mekein drejt Shtëpisë së Bardhë, është shumë e përpjetë dhe e vështirë.