Kryeministri kërkon më shumë vëmendje ndaj librit dhe letërsisë
Kryeministri Berisha kërkoi dje, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, që Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare dhe duke u konsultuar me grupet e interesit, të hartojë një platformë me anë të së cilës qeveria të shënojë një kthesë rrënjësore në qëndrimin zyrtar ndaj librit. Kryeministri theksoi se politika e re e qeverisë ndaj librit duhet të jetë mbështetëse, promovuese e fuqishme e librit dhe vlerave të tij, si dhe të krijojë të gjitha mundësive që libri të përmbushë si duhet rolin dhe misionin e madh që ka. “Qëndrimi zyrtar ndaj librit duhet të jetë qëndrimi i mbështetjes, i promovimit të fuqishëm të librit dhe vlerave të tij, si dhe krijimi i të gjitha mundësive që libri të përmbushë si duhet rolin dhe misionin e madh që ka. Nëse shkon në bibliotekat e shkollave rrezikon që autorët shqiptarë, rilindësit dhe autorë të tjerë që kanë botuar vepra në Shqipëri dhe jashtë saj, që janë të njohur në Shqipëri dhe në botë, si Ismail Kadare etj., të jenë ekzotik në këto biblioteka”, - është shprehur Berisha. Ai premtoi se në të ardhmen do të bëhen përpjekje për krijimin e bibliotekave online. “Në kohërat që vinë ne do të hapim bibliotekat virtuale dhe këto përbëjnë një zhvillim madhor, por sërish libri mbetet libër dhe është i pazëvendësueshëm. Lexuesi gjatë shfletimit të librit prek autorin dhe asgjë nuk mund të zëvendësoj vlerën e të lexuarit”, - është shprehur Berisha. Ai kërkoi që në të gjitha institucionet shtetërore t’i jepet rëndësi krijimit dhe pasurimit të bibliotekave. “Çdo institucion në këtë vend përdor një fond të caktuar për të blerë piktura apo për të bërë një paraqitje tjetër dhe unë nuk jam kundër këtyre, por është krejtësisht anormale të harrohen bibliotekat për shkak se janë në një dhomë që nuk i shohin vizitorët. Shpresoj që të gjitha institucionet e vendit të adaptojnë një qëndrim të ri ndaj librit”, - është shprehur kryeministri gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të qeverisë.
28 Gusht 2008