E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja në KQZ me kërkesë të ngjashme si PS-ja

Rrëzohet propozimi për rinumërimin e votave në Fier

Eljona Ballhysa
Pas rrëzimit të disa kërkesave të Partisë Socialiste për rinumërimin e votave në Berat, Shkodër e Tiranë, dje ka qenë Partia Demokratike që ka paraqitur në Komisionin Qëndror Zgjedhor një kërkesë të ngjashme me ato të PS-së. Komisionerët e Partisë Demokratike në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmani kanë kërkuar realizimin e hetimit administrativ të procesit të numërimit të votave në qarkun e Fierit, duke pretenduar se mund të sjellë ndryshime të mandateve të deputetëve. Ndërsa kryetari i KQZ-së, Arben Ristani ka kërkuar shpalljen e pavlefshme të rezultateve të votimit në 3 qendra të KZAZ-së numër 19 në Fier. Që të dyja kërkesat e PD-së u rrëzuan gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit Qendror Zgjedhor, pasi u bënë jashtë afateve të përcaktuara në ligj. Ndërkaq, komisionerët e Partisë Socialiste në parim mbështetën kërkesat e PD-së, ndërsa vunë në dukje faktin se kërkesat janë të ngjashme me kërkesat e rrëzuara të Partisë Socialiste për Beratin, Shkodrën dhe Tiranën. Sipas tyre, kërkesa e PD-së tregon qartë për mbajtjen e qëndrimeve politike të komisionerëve të PD-së.
Mbledhja
Që në fillim të mbledhje së djeshme të KQZ-së, kryetari Ristani kërkoi shpalljen e
e votimit të pavlefshëm në tre qendra të qarkut të Fierit. Bëhet fjalë për qendrat 3119, 3120, 3121, në të cilat nuk janë zhvilluar zgjedhjet për shkak të mungesës së komisionerëve. Sipas nënkryetares së KQZ-së, Dëshira Subashi, objekti i shqyrtimit të thirrur nga kreu Arben Ristani, për shpalljen e pavlefshme të tre qendrave në Fier, rezulton të jetë në kundërshtim me procedurat që përcakton Kodi Zgjedhor, pasi është jashtë afateve kohore për shkak se KQZ-ja ka miratuar para disa ditësh tabelat përmbledhëse të rezultateve në qarkun e Fierit. Ndërsa dy komisionerët e tjerë të PD-së, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmani, kanë propozuar zhvillimin e një hetimi administrativ në qarkun e Fierit. Sipas tyre, në rast se vërtetohen shkelje gjatë procesit zgjedhor, kjo sjell automatikisht të drejtën e rinumërimit të votave në këtë qark. Komisionerët socialistë në parim kanë rënë dakord duke sjellë në vemendje se kërkesa e PD-së është e njejtë me kërkesën e PS-së për rinumërimin e votave në disa KZAZ të qarkut të Beratit, Shkodrës dhe Tiranës, kërkesa këto që janë rrëzuar ditë më parë nga KQZ-ja. Më pas socialistët kanë vënë në dukje se kërkesa e bërë nga PD-ja është jashtë afatave ligjore, për shkak se KQZ-ja e ka miratuar tabelën e rezultateve përmbledhëse për qarkun e Fierit. Në përfundim këto dy propozime të PD-së u rrëzuan gjatë votimit.
Ankimimet
Ndërkaq partitë politike kanë bërë gati ankimimet për Kolegjin Zgjedhor. Partia Demokratike ka vendosur të ankimojë rezultatin e tre qendrave të votimit në qarkun e Fierit. Ndërsa socialistët do të ankimojnë vendimet e KQZ-së që lidhen me kërkesat e PS-së për rinumërim votash në qarkun e Beratit, Shkodrës dhe Tiranës. “Ne do të ankimojmë të gjitha këto vendime të paligjshme të KQZ-së, sidomos ato vendime që u morën ditët e fundit dhe që kanë të bëjnë me qarqet e Beratit, Tiranës dhe Shkodrës. Pra, nxjerrja e vendimeve plotësisht në kundërshtim me ligjin, refuzimi pa asnjë shkak ligjor i kërkesës së dy anëtarëve për rinumërimin e qendrave të caktuara të votimit”, - u shpreh përfaqësuesi ligjor i PS-së, Damjan Gjiknuri. Në kolegj do të çohet gjithashtu edhe rezultati i qarkut të Shkodrës si nga PD-ja ashtu dhe nga PS-ja. “Janë kërkesat ankimore të cilat nuk e kanë marrë përgjigjen përfundimtare këtu. Siç ishte rasti i dy qendrave të votimit në qarkun e Shkodrës. Paçka se nuk prodhon mandat të ri, rezultati mbetet po ai, por ne do ta kërkojmë”, - është shprehur përfaqësuesi ligjor i PD-së, Kosovrasti.

Garuli: “Deklaratat për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve dëmtojnë imazhin e vendit”

Partia Republikane i ka konsideruar deklaratat e përsëritura të Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit, si përpjekje që dëmtojnë imazhin e vendit. Nënkryetari i Partisë Republikane, Aleksandër Garuli, gjatë një deklarate për mediat, u shpreh dje, se çdo përpjekje e Ramës për të hedhur baltë mbi zgjedhjet e 28 qershorit, është negative për vendin. “Çdo përpjekje e Ramës për të përbaltur zgjedhjet e 28 qershorit, dëmton drejtpërdrejt imazhin e vendit dhe fyen qytetarinë me të cilën shqiptarët realizuan këto zgjedhje”, - deklaroi nënkryetari i Partisë Republikane, Aleksandër Garuli, gjatë konferencës së djeshme për shtyp. Partia Republikane ka theksuar se rezultati i zgjedhjeve shpreh qartë se elektorati shqiptar ia ka dhënë koalicionit “Aleanca për Ndryshim” të drejtën kushtetuese për të krijuar qeverinë.
“Rezultati i këtyre zgjedhjeve shpreh qartë se të drejtën kushtetuese për të krijuar qeverinë, elektorati shqiptar ia ka dhënë koalicionit “ Aleanca për Ndryshim” me diferencë të patjetërsueshme nga koalicioni i Partisë Socialiste. Pranimi i humbjes reale do t’i shërbente vetë Partisë Socialiste, duke i dhënë asaj statusin e një opozite konstruktive”, është shprehur Garuli.

Topalli merr pjesë në takimin e kryeparlamentareve në Vjenë

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, mori pjesë në takimin e 5-të ndërkombëtar të kryeparlamentareve gra, që u organizua në Vjenë nën kujdesin e kryetares së Parlamentit të Austrisë, Barbara Pramer. Dhuna kundër grave dhe kriza financiare ndërkombëtare u identifikuan si çështje që ndikojnë në përkeqësimin e pozicionit të gruas në çdo vend, pavarësisht zhvillimit social dhe ekonomik të tij.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë argumentoi se kriza ekonomike ndërkombëtare dëmton, së pari gratë për shkak të pozicionit të tyre të pabarabartë, veçanërisht në tregun e punës. Topalli ofroi modelin e Shqipërisë si një vend, që nëpërmjet zbatimit të një pakete të guximshme fiskale, dyfishimit të të ardhurave, luftës kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal, ka realizuar rritjen më të madhe ekonomike në Europë, duke ndikuar në mirëqënien e familjes shqiptare dhe në mënyrë të veçantë, të gruas. Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë theksoi se ndryshimi nuk duhet të vijë vetëm nëpërmjet politikave protektive për gratë, por, para së gjithash, ndryshimi vjen nga ajo çka gratë bëjnë për vetveten. Si e para grua në krye të Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e nisi detyrën e saj edhe me angazhimin për t’u përfshirë totalisht dhe për të shfrytëzuar çdo mundësi, me veprim konkret për forcimin e rolit të gruas në familje dhe shoqërinë shqiptare. Në takimin me homologet e saj, Jozefina Topalli e vleresoi si një arritje thelbësore të demokracisë shqiptare dyfishimin e numrit të deputeteve gra, duke u shprehur optimiste edhe për rritjen e numrit të grave në qeverinë e ardhshme. Gjatë takimit në Vjenë, Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë ndau me koleget e saj përvojën e një turi dy vjeçar në mbështetje të grave dhe ndërgjegjësimit për rolin që ato duhet të luajnë në shoqëri.

17 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›