E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, ridiskuton ndarjen e posteve ministrore nga postet partiake

Demokratët kërkojnë fuqizimin e partisë

Eljona Ballhysa
Demokratët kanë nisur të diskutojnë sërish idenë e ndarjes së posteve ministrore nga ato partiake. Me përfundimin e zgjedhjeve parlamentare dhe me afrimin e mbajtjes së Kuvendit Kombëtar, anëtarë të PD-së dhe deputetë të zgjedhor të kësaj partie mendojnë se në këtë Kuvend është mirë të diskutohet ideja e ndarjes së posteve qeveritare nga ato partiake. Sipas tyre, kjo do të mundësonte forcimin e partisë dhe një riorganizim dhe funksionim më të mirë të saj. Por kështu, burimet bëjnë të ditur se, nëse funksionarët e lartë të PD-së nuk do të kishin poste ministrore, do të ishin më të përkushtuar ndaj postit partiak dhe kjo do të gjallëronte selinë blu gjatë katër viteve të ardhshme në pushtet.
Ndryshimi
Ideja e ndarjes së posteve ministrore nga ajo partiake ka filluar të qarkullojë në Partinë Demokratike fill pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007. Deputetë të ndryshëm të PD-së ngarkuan me përgjegjësi për humbjen në zgjedhje, mungesën e një organizimi të mirë të partisë. Sipas tyre, shkak për këtë, u bë fakti që sekretarët e partisë ishin angazhuar më shumë me postin ministror sesa me funksionin partiak. Deputetë të ndryshëm hodhën idenë e ndarjes së posteve ministrore nga ato partiake me qëllimin e funksionimit të partisë edhe gjatë viteve kur partia është në maxhorancë dhe drejton vendin. Por kjo ide që u diskutua në qarqet e PD-së para dy viteve, është rihedhur sërish në diskutim brenda PD-së. Kjo, për faktin se një vendim i tillë merret nga Kuvendi Kombëtar, i cili do të mblidhet së shpejti dhe do të votojë ndryshimet në statutin e PD-së. Demokratët, fill pas zgjedhjeve parlamentare, kanë nisur punën për të përgatitur mbledhjen e Kuvendit të dhjetë Kombëtar. Kuvendi në bazë të statutit mblidhet një herë në katër vjet dhe parashikohej të mbahej në fund të muajit prill, por zhvillimi i tij u shty për shkak të zgjedhjeve parlamentare. Megjithëse fitorja në zgjedhje duket sikur e ka mjegulluar përgatitjen e Kuvendit burimet nga selia blu pohojnë se ai do të mbahet në fund të muajit gusht duke i paraprirë krijimit të qeverisë së re. Demokratët në këtë Kuvend do të rimandatojnë kryetarin e partisë, Sali Berishën, duke e zgjedhur sërish në krye të PD-së edhe për katër vitet e tjera. Në Kuvendin Kombëtar do të votohet për programin politik të PD-së me të cilin do të qeverisë vendin për katër vitet në vazhdim, si dhe do të zgjidhen anëtarët e Këshillit Kombëtar. Në bazë të Statutit, anëtarët e Këshillit Kombëtar votojnë dhe zgjedhin anëtarët e Kryesisë qëndrore si dhe sekretarët e partisë.
Figurat
Burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se miratimi i ndarjes së posteve do t’i shërbente shumë partisë për shkak se do të kënaqeshin “orekset” e figurave të ndryshme të PD-së që kanë ambicie për pushtet. Kështu, kryeministrit Berisha, përveç deputetëve të PD-së, të cilëve u jep portofole ministrore, kënaq edhe deputetë të tjerë të cilët i angazhon me poste në parti. Por kjo do të thotë që ministrat aktualë duhet të zgjedhin midis postit në qeveri, apo postit në parti. Që të dy këto poste kanë rëndësi të veçantë përsa i përket karrierës politike. Nëse kjo ide miratohet në Kuvendin Kombëtar disa prej ministrave aktualë do të gjenden përpara një zgjedhjeje të vështirë.

Berisha zbulon shtatoren e Ahmet Zogut në Burrel

Kryeministri Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e vendosjes së shtatores së Mbretit Ahmet Zogu, në sheshin kryesor të qytetit të Burrelit. Kryeministri ishte i ftuar nderi në këtë ceremoni, i cili zbuloi në mënyrë simbolike shtatoren e nderit, së bashku me Madhërinë e tij Leka Zogu i Parë. Kryeministri Berisha vlerësoi se me këtë shtatore “vendoset në piedestalin që e meriton, njëri prej burrave të shquar të kombit shqiptar, arkitekti dhe themeluesi i shtetit modern të shqiptarëve, Mbreti Zogu i Parë”. Madhëria e tij, Leka Zogu i Parë, u shpreh se ndihej shumë i prekur dhe i nderuar që kryeministri Berisha ishte i pranishëm në këtë ceremoni, duke vlerësuar se vendosja e shtatores së Mbretit Ahmet Zogu në sheshin e qytetit të Burrelit, është një moment historik që i përket gjithë Shqipërisë, por veçanërisht Matit. Më tej, kryeministri Berisha vuri në dukje kontributin e madh të Mbretit Zogu i Parë, në kohërat më të vështira për vendin dhe kombin, i cili, theksoi ai, “me një mençuri të jashtëzakonshme, me kurajë dhe trimëri legjendare, me një vizion të pashoq, ia doli që, në trojet shqiptare të copëtuara, në një komb që numëronte vetëm pak vite nga themelimi i alfabetit të tij dhe që sapo kishte dalë nga sundimi shumëshekullor otoman, të ndërtonte shtetin e ri shqiptar, të standardeve monarkike të avancuara evropiane”. Kryeministri siguroi se qeveria e tij “ushqen dhe do të ushqejë respektin dhe nderimin më të madh për veprën e pavdekshme të Ahmet Zogut”. Gjatë vizitës në qytetin e Burrelit, Berisha përuroi fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugëve të një blloku banimi në Burrel, investim i bashkisë së qytetit në bashkëpunim me qeverinë holandeze me vlerë 22 milion lekë. Rikonstruksioni i tyre përfshin sistemin, asfaltimin dhe të gjitha elementet infrastrukturorë të standardeve europiane. Duke vlerësuar se ky investim do të krijojë një infrastrukturë të re moderne për banorët e këtij blloku banimi, Kryeministri Berisha theksoi se edhe kjo rrugë e re është në kuadrin e zotimit për të asfaltuar çdo rrugë në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë.

Erdogan i telefonon Berishës për fitoren në zgjedhje

Kryeministri i Turqisë Rexhep Taip Erdogan i telefonoi dje pasdite kryeministrit Berisha për t’i përcjellë urimet më të ngrohta për fitoren e tij dhe të koalicionit që ai kryeson në zgjedhjet parlamentare. Kryeministri i Turqisë, Erdogan e cilësoi këtë, një fitore të merituar të kryeministrit Berisha, me një rendësi të madhe për vazhdimin e reformave të vendit dhe integrimit të Shqipërisë në BE. Gjithashtu kryeministri turk e përgëzoi veçanërisht kryeministrin Berisha për realizimin e koalicionit të ri qeverisës me Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke u shprehur se ky koalicion është një koalicion premtues për vendin. Kryeministri Erdogan e siguroi kryeministrin Berisha se ai dhe qeveria që kryeson do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm qeverinë e re të kryesuar prej tij.
Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen e thellë mikut të tij, kryeministrit turk Erdogan për mbështetjen e gjithanshme dhe të vazhdueshme që ai, qeveria e tij dhe kombi turk i kanë dhënë kryeministrit Berisha dhe Shqipërisë, si dhe shprehu angazhimin e plotë të tij dhe të qeverisë zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve.

17 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›