E Diel, 1 Nëntor 2026

24 orë para firmosjes transferta te Hamburgu, Evertoni jep 6 milionë stërlina për Lorik Canën

Në orët e fundit para firmosjes së kontratës me Hamburgun në Gjermani mbërrin oferta angleze për kapitenin shqiptar të Marsejës

Ekipi i Evertonit, në Premier Ligën angleze, i ka ofruar një ofertë të re mesfushorit të kombëtares shqiptare, Lorik Cana.
Ndërsa ishte konsideruar një marrëveshje e mbyllur ajo mes Lorik Canës dhe Hamburgut të Bundesligës, papritmas gjithçka është pezulluar gjatë 24 orëve të fundit. Shkak duket se është bërë oferta e re e drejtuesve të skuadrës së Evertonit, për një shifër prej 6 milionë sterlinash, që sipas “Daily Mail, e shtyn lojtarin e kombëtares shqiptare drejt Premier Ligës. Ofertat ndaj kapitenit të Marsejës në këtë sezon merkatoje nuk kanë munguar edhe nga emrat e mëdhenj të futbollit anglez, si Arsenali apo Liverpuli, apo klubet gjermane të Hamburgut e Volfsburgut, megjithatë këto dy të fundit duken disi më larg. “Kam pasur kontakte me Liverpulin dhe lojtari që luan rolin tim është Havier Maskerano. Ai nuk lëviz. Edhe kontakte me Arsenalin ka pasur, por nuk kemi gjetur ndonjë marrëveshje”, është shprehur Cana për gazetën “Daily Mail”. Sipas futbollistit shqiptar, fundjava e ardhshme do të zbardhë përfundimisht ngjyrat e fanelës dhe skuadrës së tij të re.

“Perandori” do të rikthehet në Itali

Sulmuesi i Flamengos, Adriano, është duke synuar një rikthim në Itali pas përfundimit të Kupës Botërore në verën e ardhshme.
Agjenti i lojtarit, Gilmar Rinaldi, thotë se ish-lojtari i Interit është duke e rikthyer formën e tij të vjetër këtë sezon në Brazil. “Të dielën ai luajti mirë, ai është në formë dhe do të vazhdojë t’ia dalë. Ai sillet ashtu si duhet, ai është i qetë, i lumtur dhe stërvitet pa problem”, ka thënë Rinaldi. “Ai është disi më ndryshe, kur stërvitet mirë ai mund të bëjë çfarëdo që dëshiron. Për momentin ai është i lumtur në Brazil. Por mendoj se pas Kupës Botërore, ai mund të rikthehet të luajë në Itali”, ka shtuar agjenti.

Zambrota: “Ronaldinjo më i mirë se Kaka por pas Zidanit”

Mbrojtësi i Milanit, Xhanluka Zambrota e ka vlerësuar Ronaldinjon si një opsion më të mirë se patrioti i tij ish-milanist, Rikardo Kaka. “Sezoni i fundit ishte i tëri i ri për Ronaldinjon por unë besoj se këtë vit ai do të mund të krijojë diferencën. Tashmë e kam parë atë të ndezur në stërvitje”, ka thënë Zambrota. “Prej të gjithë kampionëve me të cilët kam luajtur në karrierë, Zinedin Zidan është në krye, pastaj Ronaldinjo dhe i treti është Kaka”.
Ndërkaq, mbrojtësi shprehet për fantazistin dhe organizatorin e kuqezinjve, Andrea Pirlo, se është i domosdoshëm për Milanin: “Pirlo është vendimtar për ne dhe vërtet shpresoj se ai do të mbetet, por nuk kam folur për të për planet e tij të transferimit”, përfundon Zambrota.

16 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›