E Diel, 1 Nëntor 2026

Tokat bujqësore, Avokati i Popullit çon në Kushtetuese ligjin për verifikimin e titujve

Dobjani e ka cilësuar si antikushtetues ligjin e miratuar nga Kuvendi

Habjon Hasani
Vetëm një javë para ditës së zgjedhjeve, Avokati i Popullit i ka kërkuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e Ligjit nr.9948, dt.07.07.2008, “Për verifikimin e Titujve të Tokës Bujqësore”, duke e cilësuar këtë ligj si kryekëput antikushtetues dhe si një ligj që vë në pikëpyetje serioze respektimin e të drejtave në Shqipëri. “Ligji në tërësinë e tij, përveç të tjerave, paralelizon dhe zëvendëson dispozitat e Kushtetutës dhe të Kodit Civil me ato të Kodit të Procedurave Administrative. Ligji nr.9948, dt. 07.07.2008 ‘Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore’ krijon struktura shtetërore, paralele me gjykatat. Komisioni Qeveritar i Tokave dhe Komisionet Vendore pranë Prefektit në qarqe, sipas neneve 6, 7, dhe 8 të Ligjit, ushtrojnë kompetenca të tilla, si ‘zgjidhin mosmarrëveshjet midis shtetasve’, ‘zgjidhin konflikte juridiksionale’ dhe ‘japin ose heqin tituj pronësie’; kompetenca që janë ekskluzive për pushtetin gjyqësor”, - shkruan Avokati i Popullit në kërkesën që i bën Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e këtij ligji..
Arsyetimi
Sipas Emir Dobjanit neni 10 i Ligjit të lartpërmendur, cenon elementet dhe tiparet themelore të parimit të sigurisë juridike, krijon ambient pasigurie për një masë shumë të madhe pronarësh, humbet besueshmëria e shtetasve tek shteti, nuk jep garanci për vijueshmëri dhe për ndryshime legjislacioni në përputhje me Kushtetutën. “Me ligjin që kontestojmë për papajtueshmëri me Kushtetutën, organet administrative kanë të drejtën të verifikojnë, shqyrtojnë dhe anulojnë titujt e pronësisë. Ligjvënësi nuk mund të përkeqësojë në mënyrë të paarsyeshme gjendjen ligjore të personave, të mohoje të drejtat e fituara ose të shpërfillë interesat legjitime të tyre. Në një shoqëri me kah demokratik, ligji duhet të garantojë siguri, qartësi dhe vazhdimësi në mënyrë që individët t’i drejtojnë veprimet e tyre në mënyrë korrekte e në përputhje me të dhe, nga ana tjetër, vetë ligji të mos qëndrojë statik nëse duhet t’i japë formë një koncepti, siç është ai i drejtësisë, në një shoqëri që ndryshon me shpejtësi”, - thekson Avokati i popullit. Sipas Dobjanit, çdo shoqëri që synon nxitjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ka si parim thelbësor epërsinë e ligjit. “Rregullime ligjore mund të kryhen vetëm në përputhje me një procedurë të përcaktuar më parë dhe pa cenuar parimet dhe normat kushtetuese. Parimi i sigurisë juridike duhet respektuar nga të gjitha institucionet dhe së pari nga vetë Kuvendi”, - nënvizon Dobjani.
Ligji
Sipas Avokatit të popullit Ligji nr.9948, dt.07.07.2008 përkeqëson në mënyrë të paarsyeshme gjendjen ligjore të shtetasve, pasi u heq atyre të drejtën e pronës.” Nenet 2, 3 dhe 4, në korelacion me nenin 9 dhe 10 të Ligjit krijon bazën ligjore të heqjes së titullit të pronësisë, të dhënë që para shume vitesh. Ligji nuk merr parasysh afatet e parashkrimit të padisë, neni 103 i Kodit Civil, dhe ato për fitimin me parashkrim fitues të pronës, me mirëbesim dhe ne bazë te një veprimi juridik që nuk është i ndaluar nga ligji, neni 168 po i Kodit Civil”, - shkruhet në kërkesën për shfuqizimin e këtij ligji. Dobjani ka argumentuar në kërkesën dërguar Kushtetueses se parimi i sigurisë juridike cenohet, përveç sa më lart, edhe për faktin se Ligjit i është dhënë fuqi prapavepruese. “Nenet 2, 3, dhe 4 vendosin kritere për vlefshmërinë e veprimeve juridike të kalimit në pronësi të tokës bujqësore, duke anashkaluar kriteret e pavlefshmërisë së veprimit juridik dhe pasojave, të parashikuara në nenet 92-111 te Kodit Civil. Dhënia e fuqisë prapavepruese këtyre neneve, të kritereve të reja që vendosin, përkeqëson gjendjen juridike të pronarëve të tokës bujqësore, sepse as parashkrimi fitues nuk i mbron nga veprimet dhe vendimet e Komisioneve Vendore dhe Komisionit Qeveritar të Tokës”, theksohet në kërkesë.

////////////////////

BOX
Titujt e pronësisë që anulohen sipas ligjit

Nuk janë objekt i dhënies së tokës në pronësi dhe i krijimit të titujve të pronësisë të gjitha sipërfaqet e tjera, që më 1.8.1991 nuk kanë figuruar në regjistrat kadastralë në zërin “Tokë bujqësore”, si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe sipërfaqe të tjera të tokës jobujqësore. Familjet fshatare ose individët që faktikisht e përdorin tokën bujqësore dhe e shfrytëzojnë atë në kufijtë e pretenduar prej tyre, si pronë e parakolektivizimit dhe që nuk kanë pranuar të pajisen me aktin e marrjes se tokës në pronësi, mund ta kërkojnë dokumentacionin ligjor të pronësisë, sipas procedurave të përcaktuara në Ligjin Nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. Nuk mund të bëhet kërkesë për t’u pajisur me dokumentacion pronësie kur sipërfaqja e tokës së pretenduar u është dhënë më parë në pronësi personave të tjerë, në bazë të dispozitave të Ligjit Nr.7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”. Ligji për vlefshmërinë e titujve të pronësisë parashikon dhe ndalimin e zaptimit të paligjshëm të tokës. Sipas këtij projekti, organet e qeverisjes vendore ngarkohen të ndalojnë çdo zënie dhe përdorim të tokës, në kundërshtim me këtë ligj. Në rastet e pushtimit të tokës bujqësore, në pronësi të shtetit, detyrimin e bërjes së denoncimit e kanë zyrat e menaxhimit dhe të mbrojtjes së tokës. Në rastet e pushtimit të tokës bujqësore, dhënë në pronësi ose në përdorim, personave që e zotërojnë, sipas ligjit, të drejtën e denoncimit e kanë vetë pronarët ose përdoruesit e tokës bujqësore. Denoncimi duhet të bëhet me shkrim pranë komisioneve vendore, të cilat nisin hetimin dhe gjobisin me gjobë pushtuesin e tokës.

BOX
Përplasja, Ministria e Bujqësisë e deklaron të mbyllur procesin

Në një nga sqarimet e pakta për çështjen e titujve të pronësisë, Ministria e Bujqësisë, në kuadër të një reagimi ndaj akuzave të bëra nga opozita, ka dhënë disa ditë më parë të dhëna mbi këtë proces, duke e konsideruar thuajse të mbyllur. Gjatë sqarimit të tij për këtë çështje, zëdhënësi i kësaj ministrie, Rexhep Shahu, ka deklaruar: “Në Shqipëri, që nga viti 1991 janë ndarë dhe janë dhënë në pronësi të 444 mijë familjeve fermerë shqiptare 560 mijë ha tokë bujqësore, tokë që e kanë përfituar këto familje dhe kanë marrë tituj pronësie për këtë sipërfaqe toke. Shumë nga specialistët e Bujqësisë së opozitës e dinë se fermerët shqiptarë janë pajisur me tituj pronësie si dhe kanë refuzuar 110 mijë ha tokë bujqësore si të pafrytshme, e cila është e pandarë. Është kryer regjistrimi fillestar i tokës bujqësore në cilësinë e pasurisë së paluajtshme për 2390 zona kadastrale ose për 81 për qind të gjithë zonave kadastrale të Shqipërisë. Pjesa e mbetur është në proces. Për ta mbyllur dhe verifikuar ligjshmërinë e këtyre titujve të pronësisë, nën qeverisjen e sotme janë hartuar akte ligjore e nënligjore dhe janë krijuar struktura të posaçme që po merren intensivisht me këtë proces. Ky regjistrim i tokës bujqësore disponohet nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme në rrethet e vendit dhe çdo posedues i ’Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi’, akt që është titull pronësie, në çdo kohë, ka pasur dhe ka të drejtën, nëse dëshiron, të paraqitet pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të marrë certifikatën e pronësisë për tokën e tij”.

17 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›