Parlamenti i Irakut kundërshton projektligjin për trupat
Parlamenti i Irakut ka kundërshtuar një projektligj, që i bën të mundur trupave nga Britania, Australia dhe një numër vendesh të tjera që të mbesin atje pas fundit të këtij viti.
Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme, pasi siguron bazën ligjore për forcat britanike dhe atyre të tjera të huaja, të qëndrimit në Irak, përtej fundit të vitit.
Mandati aktual i OKB-së skadon brenda më pak se dy javësh dhe shpresohej që parlamenti i Irakut të aprovonte këtë projektligj, që mbulon edhe katër mijë trupat britanike në Basra.
Forcat amerikane lejohet të qëndrojnë atje deri në fund të 2011, pasi kanë një status të veçantë.
Megjithatë pas një votimi në parlamentin e Irakut, projektligji u kundërshtua nga 80 vota kundër, me vetëm 68 deputetë pro.
Fariad Rawndouzi, një deputet Kurd, i tha BBC-së se edhe pse partia e tij dhe ajo e kryeministrit Dawa kishin votuar pro, deputetët e tjerë nuk ishin të kënaqur me hartimin e projektligjit dhe donin që ai më shumë t'i përngjante statusit të marrëveshjes së forcave amerikane në Irak.
Projektligji tani do t'i dërgohet sërish kabinetit të Irakut, për t'i bërë amendamentet e duhura.
Kryministri britanik Gordon Brown ishte në Baghdad në fillim të javës, ku konfirmoi se Britania planifikonte t'i tërhiqte trupat e saj nga Basra, deri në fund të muajit korrik të vitit të ardhshëm. (BBC)