PD-ja vazhdon sulmin ndaj Gjykatës Kushtetuese
Partia Demokratike vazhdon sulmin ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar me vendosmëri se anëtarë të Gjykatës Kushtetuese që kanë konflikt interesi nuk duhet ta shqyrtojnë ligjin për hapjen e dosjeve. Pas rezolutës së Gjykatës së Strasburgut, Partia Demokratike këtë herë nëpërmjet një shembulli amerikan ka nxjerrë një arsye tjetër përse Gjykata Kushtetuese nuk duhet të shqyrtojë ligjin e dosjeve. Zëdhënësi i Grupit Parlamentar të PD-së ka hequr paralele nëpërmjet një rasti të Gjykatës së Apelit në SHBA, ku, për shkak të konfliktit të interesit të gjyqtarëve, u bllokua shqyrtimi i një çështjeje kundër aparteidit. “Konfliktet e interesit, financiare dhe personale të katër gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, e lanë gjykatën pa kuorum dhe të paaftë për të vendosur nëse do të merrnin në shqyrtim një ankesë të depozituar kundër më shumë se 50 kompanive, të cilat kanë bërë biznes në Afrikën e Jugut në kohën e aparteidit. Çfarë thotë ligji për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë? Neni 72, pika 2 e ligjit, thotë: Vendimet merren me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve. Kjo është që të respektosh shtetin ligjor brenda kornizave të ligjit”, - deklaroi Bumçi.
21 Janar 2009