E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, komision hetimor për “Tivarin”. Godo:UDB vriste kosovarët në radhët e partizanëve



tirane

Në një intervistë dhënë gazetarit çlirim Peka, në emisionin "Fakt", historiani dhe politikani Sabri Godo flet për masakrën e Tivarit. Po i referohem Luftës së Dytë Botërore dhe për masakrën e Tivarit. Ju keni folur gjatë intervistave për luftën në ish- Jugosllavi, ku edhe ju keni qenë pjesëmarrës, keni thënë edhe për ish Presidentin Moisiu, se nuk e mbani mend si partizan. Realisht, Ramiz Alia ka përgjegjësi për këtë masakër apo jo?
Kjo është temë e gjerë. Për z.Moisiu, nëse ka qenë apo jo partizan nuk besoj se duhet të merrem unë me këtë. Unë kam qenë në divizionin e gjashtë. Ne hymë në Jugosllavi nga Mali i Zi dhe pasi qëndruam 40 ditë atje, në kushtet më të vështira, afër linjës hekurudhore ku kalonin gjermanë, kaluam më pas në Bosnje. Më pas në Sanxhak dhe pas në Kosovë, në mars. Nga dhjetori i '44, ne kemi kaluar kufirin e Shqipërisë. Tani kanë qenë dy divizione, i gjashti, ku kam qenë unë dhe i pesti ku ka qenë Ramiz Alia komisar. Dhe ky divizion ka hyrë në Kosovë direkt nga kufiri shtetëror. Nuk e di nëse hynë nga Dibra apo Kukësi, por kanë hyrë direkt në Kosovë. Ne i ramë rrotull. Ai thotë se ka qenë në Bosnje, por unë nuk e kuptoj se çka dashur në Bosnje. Mund të ketë qenë pas lufte. Mbaj mend mirë, që kapitullimi i Gjermanisë mua më ka gjetur në Kosovë. Këta (divizioni i 5) kishin qenë para nesh në Kosovë dhe ishin kthyer në Shqipëri, pasi kishin mbaruar punë. Tani tek kjo që ngre Berisha...ky në fakt (Ramiz Alia) ka qenë komisar i divizionit të 5, pas komandat Shefqet Peçit. ç'kanë bërë këta në Kosovë, unë nuk e di, se unë isha në Mal të Zi dhe Bosnje, por ama di se ç'gjetëm ne, kur shkuam atje. Kur hyra në fillim në malësinë e Prishtinës, erdhën në repartin tim 70 vullnetarë kosovarë, të cilët filluan të iknin sa tek njëra tek tjetra dhe kur mbërrita në Ohër kishin mbetur vetëm 5 veta. Kjo sepse UDB-ja natën i merrte me listë, i merrte, dhe 20 kilometra më tej i pushkatonin. Ata që ishin kosovarë dhe kishin lidhje me vendin i dinin këto, ndërsa ne jo. Di që ata tentuan të na përdorin ne për të rrethuar dhe kapur gjoja të arratisur kosovarë që në të vërtetë kishin qenë në brigada partizane, por që me politikën e tyre, jugosllavët i detyruan t'i nxjerrin si kundërshtarë.
U shprehët se tek divizioni i 6 ku ishin pjesëtarët, kur shkuat në Kosovë gjetët atë që kishte bërë divizioni i 5, ku ishte komisar Ramiz Alia. ç'kishte bërë ky divizion?
Jo divizioni i 5, por serbët. Kishte ndodhur që në atë fshatin ku shkova unë kishin hedhur 14 vetë në një pus.
Po divizioni i 5 ku ndodhej, kur ju arritët në Kosovë?
Nuk e di fare sepse nuk kishim kontakt, por unë mendoja se kishte filluar tërheqjen për në Shqipëri. Sepse vendin e tyre e zumë ne. Brigadat tona u hapën nga Mitrovica, në Prishtinë deri në kufi me Maqedoninë. Pastaj në maj filluam të tërhiqemi edhe ne. Brigada jonë u përqendrua në Ohër, një tjetër në Resnjë dhe filluam pra të tërhiqemi rreth liqenit të Ohrit.
Po masakrat e serbëve ndaj kosovarëve kanë qenë gjatë kohës kur është tërhequr divizioni i 5 apo ka qenë konstante?
Datën tamam unë nuk e di, por di të them që disa luftëtarë ishin kthyer në legjendë si Shaban Pollusha. E vërtetë është se brigadat tona u shërbyen jugosllavëve për të reshtur Kosovën, qoftë edhe me prezencën tonë. Ata besonin se erdhën vëllezërit tanë këtu dhe tani do fillojmë një jetë tjetër dhe mori fund sundimi serb. Kjo ishte kur ata prisnin flamurin tonë dhe qanin në gjunjë. Pastaj më pas ndodhi masakra e Tivarit, që unë e mora vesh më vonë dhe nuk mund të flas për të sepse nuk di. Por unë kam pasur rast të mësoj me saktësi nga burime konfidenciale për pushkatimet që bëheshin në kufi nga organet tona të Sigurimit. E kam fjalën për kosovarët, që donit të iknin nga sundimi serb dhe të vinin në Shqipëri, siç bënë në vitet '20. Atje i kapnin rojet tona dhe i pushkatonin pa gjyq dhe pa i pyetur se cilët ishin. Dinin vetëm që nuk duhet të hynin në tokën shqiptare dhe gjoja ishin armiq të përbashkët, por se sa janë vrarë dhe kush i ka vrarë unë nuk e di, por ama e di se janë vrarë sepse kam pasur rast ta dëgjoj nga një njeri që emrin nuk dua t'ia përmend, por duke qenë në gjendje të dehur qante me lot dhe tregonte se si kishte vrarë edhe me dorën e tij kosovarët që vinin të strehoheshin në Shqipëri. Kjo është një pjesë tjetër e dramës. Nuk është vetëm masakra e Tivarit dhe pajtohem me Berishën, që kjo ka qenë masakra më e madhe e bërë pas luftës në vendet e Ballkanit. Ka shumë hetime për të bërë dhe unë jam për atë të mos hapen deftere të vjetra, por të hetohen krime që nuk para shkruhen. Janë drejtpërdrejt viktima të një pararoje politike të bëra me qëllim dhe vetëdije dhe fajtorët duhet të gjykohen. Një pjesë e tyre nuk janë gjallë fizikisht, por historia duhet të shkruhet për së mbari dhe duhet të gjendet.
Zoti Godo, me ato që keni dëgjuar, çfarë dini për masakrën e Tivarit, pasi ka një akuzë nga zoti Berisha për zotin Alia. çfarë keni dëgjuar mbi rolin e komisar Ramiz Alisë?
Nuk kam dëgjuar asgjë. As për atë, as për masakrën Tivarit në atë kohë. Kam dëgjuar 10 vite më vonë. Ishte një gjë e turbull për mua, por duke e gjykuar kështu nga jashtë, unë mund të them se nuk ka qenë Ramiz Alia që këta 4 mijë veta të pushkatohen, pasi nuk e kishte një tagër të tillë. Nuk e kishte atë fuqi pasi kjo shkonte në nivelin e Koci Xoxes e lart, tek Enver Hoxha. Kurse Ramiz Alia mua më duket jashtë kuadrit për të bërë gjëra të tilla, pasi ai partizan ka dalë në mars të '44 dhe duke qenë i vullnetshëm që të shkruajë letra Enver Hoxhës, arriti të bëhet komisar divizioni. Nuk ishte Ramiz Alia një nga udhëheqësit e luftës dhe komisar u bë pas lufte. Kjo është e vërteta.
Sa i ndikuar ka qenë Enver Hoxha prej Titos?
Ka qenë tërësisht në shërbim të Titos. Ishte ai që i rregullonte fabulat për Kosovën.
Sipas jush, Hoxha ka qenë tërësisht në shërbim të Titos?
Enver Hoxha ia dha Kosovën Titos, pavarësisht se çfarë shkruajnë sot. Kur erdhi puna pastaj që Titoja rrezikoi drejtpërdrejt Enver Hoxhën me Koçi Xoxën, erdhi komunikata e famshme në Byro, në tetor të '48 dhe erdhi koha që ai kthejë kundër Titos sepse ajo ishte rruga e shpëtimit. Jo vetëm që nuk pranoi një meritë për Kosovës, por ai ia punoi Kosovës. Ai duhet të sqarohej me aleatët që në fillim se ç'duhej të bëhej me Kosovën, pasi në bazë të deklaratës së Kazablankës në vitin '43, popujt dhe minoritet që luftojnë kundër fashizmit do të merrnin pavarësisë. Ai këshillonte rrugën tjetër, që meqë në nuk e qeverisnim dot Kosovën, t'ia japim Jugosllavisë se ka më shumë eksperiencë.
Maxhoranca është shprehur për një komisionin hetimor për masakrën e Tivarit...
Jam tërësisht dakord. është bërë një krim i jashtëzakonshëm dhe janë vrarë më shumë se 4 mijë njerëz.
Po pse tani në këtë moment?
Për këtë duhet pyetur doktor Berisha sepse ai këtë punë e ka ditur edhe më parë. Dhe pse u inatos tani kaq shumë me Ramizin, sa t'i hapë edhe këto deftere të vjetra...tani në politikë kështu ndodh nganjëherë që zaret përdoren në çastin e duhur kur i volit njërit dhe tjetrit. Por pavarësisht nga kjo, unë e përkrah idenë që të ngrihet një komision hetimor parlamentar që të sqarohet kjo gjë e errët që ka ndodhur dhe se deri ku kemi ne përgjegjësi këtu. Pavarësisht se sa është implikuar Ramiz Alia.

Maxhoranca, komision hetimor për “Tivarin”

Kryeministri Sali Berisha propozoi dje ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin e ngjarjes së Tivarit, ku rreth 4300 kosovarë u vranë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Sipas tij, Parlamenti duhet të nisë bashkëpunimin me institucionet e të gjitha vendeve fqinje për të zbardhur këtë ngjarje të Luftës së Dytë Botërore. "Parlamenti duhet të fillojë me vendosmëri komisionin hetimor parlamentar, të vendosë bashkëpunimin me të gjitha Parlamentet e vendeve përreth, të mblidhet çdo dokument, çdo fakt, çdo dëshmi, ende ka të gjallë, ka dëshmi, ka prova, dhe t'i bëhet botës, t'u bëhet shqiptarëve në radhë të parë e qartë se ku shkoi lulja e rinisë shqiptare, se çfarë roli luajti klika barbare e Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilën keni konstatuar tani se po përpiqen ta rikthejnë me ardhjen e bllokmenëve në krye të Partisë Socialiste", u shpreh Kryeministri.
Libri i Ramizit
Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar dem-okrat, kreu i maxhorancës akuzoi sërish ashpër ish-Presidentin Ramiz Alia për këtë ngjarje, teksa nuk la pa komentuar edhe librin e tij të fundit "Jeta ime". "Tani si pa gjë të keqe na boton dhe librin se cilat ishin të mirat e komunizmit, një vrasës ordiner, një frikacak, se trimëri nuk ka pas kurrë ky. Na tregon tani të mirat e një regjimi, në vend që të shpreh pendesë çdo ditë, bashkë me atë të shoqen e diktatorit, që kur vdiq ai, e vazhdonte kjo terrorin. Po, po vazhdonte terrorin kjo, në mënyrën më të fuqishme", u shpreh më tej Berisha. Sipas tij, "ky gjenocid u ndihmua, u bashkë-organizua nga klika barbare e Tiranës. Të mos harrojmë se ekzistojnë të gjitha dokumentet, se ata kaluan kufirin në Morinë dhe përshkuan territorin e këtij vendi në këmbë gjer tek Hani i Hotit. Dhe këta kriminelë shqiptarë, që morën pjesë në këtë masakër duhet të marrin ndëshkimin e tyre ekzemplar, si një kusht i domosdoshëm që shpirtrat e tyre të prehen të qetë. Nuk u transportuan në territorin e Bosnjës, nuk u transportuan as nëpër territor tjetër, por vetëm nëpër territor shqiptar". Kreu i Qeverisë përsëriti para deputetëve të PD-së akuzën se Ramiz Alia është i përfshirë edhe në vrasjen e ish- ministrit të Shëndetësisë, Llambi Zeçishti, pasi ky i fundit deklaroi se Mehmet Shehu nuk është vetëvrarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›