Vrasja e dyfishtë, për një femër
MAMURRAS/ ROLAND NIKOLLI
Vdes edhe i plagosuri tjetër në Mamurras, duke e çuar në dy numrin e viktimave të atentatit të ndodhur në orët e vona të së dielës. Albert Seiti ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak vetëm 30 minuta pas mbërritjes, ndërsa Ersid Rama vdiq sapo autorët qëlluan me breshëri ndaj tyre.
Arrestimi
Policia e Kurbinit arriti të arrestojë mbrëmë katër persona, dy prej të cilëve autorët e vrasjes, njëra vajza për të cilën u krye edhe krimi, ndërsa i katërti personi që ndihmoi vrasësit e dyshuar për t’u arratisur.
Sipas policisë, të arrestuarit janë dy kushërinjtë, Diamantin Preçi dhe B.Preçi, 23 dhe 17 vjeç, Eni Allamani, 20 vjeç e cila është e fejuara e Diamantit, si dhe Rudolf Ndoci, 23 vjeç. Përveç vajzës, e cila është nga Mamurrasi, tre të tjerët janë nga Miloti. Ata u arrestuan rreth orës 20:30 në kuadër të operacionit të koduar “Këmbëngulja”, në të cilin morën pjesë 120 forca policore. Për të ndihmuar në zbardhjen e kësaj ngjarje, si dhe kapjen e autorëve në ndihmë të Policisë së Lezhës ishin Specialistë të Policisë së Shtetit, si dhe forca të repartit F.N.SH Shkodër, ku gjatë gjithë natës kanë vazhduar në postoblloqe e pika vëzhgimi, për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjithashtu është bërë i mundur kontrolli dhe krehja e të gjithë zonave të dyshuara. Dyshohet se nëpërmjet malit, autorët do të ndihmoheshin nga persona të tjerë për t’i kaluar jashtë kufirit. Mjeti me të cilën ata kanë ndjekur viktimat është gjetur në Borizanë të Krujës i braktisur. Në momentin e arrestimit, të rinjtë kanë qenë të armatosur. Policia iu bllokoi dy automatikë model 56, një pushkë model 63(njëzetëshe), si dhe 6 celulare. Sipas burimeve, në momentin e prangosjes ata nuk e kanë pranuar autorësinë, por do të jenë hetimet dhe provat e administruara ato që do të venë përballë akuzës së vrasjes dy kushërinjtë Preçi. Për arrestimin e autorëve, policia vuri në dispozicion dje 10 mijë euro, por nuk konfirmohet nëse prangosja e tyre ka lidhje me shumën e mësipërme. Ersid Rama dhe Albert Seiti po udhëtonin me një autoveturë tip “Renault” me targa italiane AZ 248 AV nga Laçi, për në Mamurras, kur në hyrje të qytetit, në lagjen “Demokracia”, janë qëlluar me breshëri. Blutë gjetën të vdekur drejtuesin e mjetit, 23- vjeçarin Ersid Rama, i cili nga hetimet e deritanishme rezulton të jetë edhe shënjestra e krimit. Ndërsa në sediljen e pasagjerit është gjetur i plagosur rëndë shoku i tij Albert Seiti, 27 vjeç. Ai u dërgua në spital, por nuk mundi t’i shpëtojë vdekjes.
Viktima
Mësohet se Albert Seiti kishte qenë emigrant në Itali prej vitesh dhe ishte kthyer një muaj më parë në Mamurras. Ndërsa viktima tjetër, Rama, ishte kthyer vetëm pak ditë më parë. Pas mbërritjes, ai kishte rrëmbyer të fejuarën e Preçit, Eni Allamani, me të cilën mësohet se kishte pasur një lidhje të hershme, duke e mbajtur dy ditë. Por historia e tyre kishte përfunduar, pasi Allamani ishte fejuar me Preçin. Sipas burimeve, Ersid Rama kishte qenë mjaft problematik në zonë. Ai kishte shkuar disa herë në banesë dhe në shkollën e vajzës duke tentuar ta rrëmbejë atë. Ende nuk është konfirmuar nëse tri ditë më parë, 23-vjeçari e ka rrëmbyer Eni Allamanin apo ajo ka ikur nga banesa me dëshirën e saj. Prindërit e saj deponuan në polici se ata nuk ishin vënë në dijeni nga vajza për largimin nga banesa. Pas ngjarjes, ajo u zhduk ndërsa u kap mbrëmë me të fejuarin dhe dy të tjerë. Tashmë ajo do të merret në pyetje pasi ka dyshime se në momentin e krimit të ketë qenë e pranishme.