PD dhe PS, mendime të kundërta për ligjin "Antimafie"
Demokratët u janë kundërpërgjigjur socialistëve, të cilët e quajnë antikushtetues ligjin "Antimafia". Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, ka deklaruar se nuk ka asnjë vend në botë ku opozita të ngrihet për të kundërshtuar një ligj të tillë. Ajo tha se, "frika nga ligji ‘Antimafie‘ e Partisë Socialiste është shenjë ndjellakeqe e madhe për këtë parti po edhe për vendin". Më tej shtoi se ky ligj është kërkuar nga Bashkimi Europian në kuadër të liberalizimit të vizave. Partia Socialiste, në deklaratat e saj zyrtare ka nënvizuar se ligji për "Antimafien" është antikushtetues, pasi ai amendon ligje që kërkojnë tri të pestat e votave në Kuvend. Sipas deputetit socialist, Damian Gjiknuri, projekti i ri i mazhorancës Berisha jo vetëm që nuk e respekton këtë standard demokratik, por synon të përfshijë si subjekte të këtij ligji çdo person apo qytetar mjafton që ai të demonstrojë një nivel të caktuar jetese, i cili mund të mos përputhet me të ardhurat e tij. "Ky ligj, në mënyrë krejt antikushtetuese, merr përsipër të amendojë ligje që kërkojnë 3/5 e votave për miratim, pasi de facto amendon Kodin e Procedurës Penale apo ligjin për Gjykatën e Krimeve të Rënda. Nuk është e rastit që shoqatat e avokatëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve e kanë kundërshtuar miratimin e këtij ligji, si dhe kanë paralajmëruar rreziqet që mund të vijnë prej zbatimit të tij", ka deklaruar Gjiknuri.