E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama kryeson, 50.5% me 49.5 në favor të tij

10/05/2011  Deri në orët e vona të mbrëmjes gara e Tiranës vazhdon të mbetet e ngushtë

Basha shprehet se ende nuk janë hapur bastionet e PD-së në shumë zona

Deri në orët e vona të mbrëmjes ka pasur një garë të fortë në Tiranë. Orët e para të mëngjesit u vu re një shkëputje e Ramës, që shkonte deri në 2000 vota në favor të tij, por pas mesditës ky rezultat erdhi duke u ngushtuar, madje dikur, kur po emërohej kutia e 54-t u vu re një shkëputje e lehtë e kandidatit Basha, me 130 vota, por që u rikuperua më pas nga ana e kandidatit socialist. Kjo për shkak se deri në orën 12:30 qëndronte e bllokuar njësia numër 8 apo KZAZ-ja numër 52, ku pas numërimit të pesë kutive të para u vu re një afrim i ndjeshëm i Bashës, ku për disa orë i shprehur në përqindje rezultati qëndroi në shifrat e 50,5 me 49,5 në favor të Ramës.

Daljet

Dalja e Ramës në orët e mbrëmjes u shoqërua me ovacione nga ana e militantëve të PS-së, i cili shpalli fitoren dhe në ato zona ku ende nuk ka mbaruar numërimi i votave, siç janë fjala vjen Durrësi apo Korça, ku numërimi ende nuk ka mbaruar. Por siç pranoi dhe vetë Rama, lokomotiva e fitores do të jetë Tirana. Nga ana tjetër, në një dalje të tij kandidati i PD-së Lulzim Basha u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës dhe votuesve të kenë durim, se janë ende dhe 180 mijë votues që nuk kanë votuar ende, ndërkohë që shumica e bastioneve të PD-së nuk janë hapur ende. Basha u shpreh optimist se rezultati në Tiranë do të jetë në favor të tij. Ndërkohë burime nga PD-ja shprehen se deri në orët e vona të natës ishin hapur rreth 16% të bastioneve të saj, ndërsa nga ana PS-së ishin hapur rreth 30% të bastioneve të kundërshtarit.

Dita e sotme

Gjithsesi, rezultati duket se do të vazhdojë të jetë i ngushtë dhe gjatë ditës së sotme, me luhatje të vazhdueshme. Nga ana e saj zëdhënësja e PD-së Albana Mustafaraj doli dje në medie dhe e ftoi Edi Ramën të pranojë çdo lloj rezultati në të gjitha bashkitë e vendit, duke paralajmëruar dhe ndonjë surprizë të pakëndshme për të në Tiranë apo dhe në Durrës, ku Rama u shpreh i sigurt për fitoren. Gjithsesi, gara mbetet e hapur sidomos në ato dy qytete, ku po luftohet për çdo votë dhe duket se beteja do të vazhdojë e ashpër dhe në ditët në vazhdim. Nga ana e tyre militantëve të të dy krahëve dhe përkrahësve të njërit apo tjetrit krah nuk u mbetet gjë tjetër vetëm se të presin me ankth ulje-ngritjet e numrit të votave sipas zonave. Gjithashtu sot pritet dhe zhbllokimi i KZAZ-ve të bllokuara nga disa qendra votimi, ku sipas pretendimeve është bërë për shkak të lodhjes së komisionerëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›