E Diel, 1 Nëntor 2026

PD mbyll fushatën në Durrës, Berisha: 44-ra numri i fatit, 29-ta dështim

DURRES - Partia Demokratike u ndal në mbrëmje në Durrës, ku zhvilloi mitingun përmbyllës të fushatës elektorale. Kryeministri Berisha iu drejtua qytetarëve të Durrësit me zotimin për rritje të rrogave dhe pensioneve, shtimin e investimeve, hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin e turizmit dhe mbështetje për bizneset e fermerët.

“Vota juaj më 23 qershor do të jetë votë për marrjen e statusit të vendit kandidat, brenda muajve që vijnë, për thithjen e qindra milionë eurove investime, për punësimin e shqiptarëve, për ndërtimin e infrastrukturës më moderne.”- tha kryeministri.

Më tej lideri i demokratëve ftoi qytetarët të votojnë numrin 44, ndërsa e cilësoi 29-ën e PS-së si numrin e dështimit.

“Për ju dhe gjithë shqiptarët dua t’ju pohoj këtu sonte se unë gjithë jetën jam përpjekur, por kam patur dhe fat dhe fati im i madh është 44 se linda në “44. Askush nuk do zhgënjehet. 44 është numri i fatit, është numri i lirisë së shqiptarëve. Lexoni pak për 29-ën, është dështimi, është Edi Rama. Kujdes prej atij numri, nuk sjell fat, nuk ka mbarësi, ka dështim. Bashkohuni për punësimin, zhvillimin, për të ardhmen tonë në Europë.”- deklaroi Berisha.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera PD mbyll fushatën në Kavajë, Berisha: Të ecim të sigurt drejt fitores Berisha në Kamëz: Rama 11 vjet kryebashkiak nuk ju konsideroi kurrë miq

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›