E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Kamëz: Rama 11 vjet kryebashkiak nuk ju konsideroi kurrë miq

TIRANË-Me anë të një mitingu përmbyllës, Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot pasdite nga banorët e Kamzës të votojnë numrin 44.

Sipas Berishës, Rama dhe pse drejtoi 11 vjet me radhë Bashkinë e Tiranës nuk vlerësoi kurrë banorët e Bashkisë së Kamzës. Sipas Berishës, do të ishte gabim fatal që vota e Kamzës të shkojë në favor të PS.

“Ndaj kërkesa ime vëllazërore për secilin që jeni këtu do bisedoni për cdonjërin prej jush, me çdo të afërm dhe ti shpejgoni se do ishte gabim fatal që ti falin votën një njeriu që për ju ka vetëm përçmim dhe mashtrime. Ju bëj thirrje më 23 qershor të ftoni cdo mik, çdo shok, çdo mikeshë, çdo krushqi, çdo të afërm, pavarësisht bindjeve politike se me ne është 100 herë më afër, sesa me njeriun i cili 11 vjet kryetar bashkie nuk pati zemër të bëjë qoftë dhe aktin më të vogël miqësor ndaj jush që erdhët dhe ngritët këtu një qytet madhështor. Bashkohuni me ne dhe mos harroni se njeriu që erdhi këtu me lëkurë qingji është njeriu që bllokoi integrimin në Bashkimin Europian”.

Basha
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha premtoi sot në mitingun përmbyllës të fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike në Kamëz, se “Xhelal Mziu dhe Lulzim Basha me ndihmën e kryeministrit Sali Berisha, do të sjellin tapitë e çdo shtëpie në Tiranë, Kamëz dhe gjithë qarkun e Tiranës brenda 30 shtatorit”.
Duke vlerësuar si "projektin më të mirë urbanizimin e Kamzës”, Kryebashkiaku i Tiranës tha se, "do ta vazhdojmë, pasi kemi mbështetjen e kryeministrit Berisha” dhe njoftoi projektin e ri për fillimin e kredisë për punësimin, ku do të përfshihen banorët e Kamzës dhe të rinjtë.
"Do të çlirojmë garancinë për kredi deri në 5 mijë euro për të rinjtë e Kamzës", tha mes të tjerave, kryebashkiaku i Tiranës, Basha.
Duke iu referuar mitingut të Partisë Socialiste së fundi në Kamëz dhe premtimit të kreut Edi Rama për legalizimin e banesave aty, kryebashkiaku i Tiranës, Basha tha se, “ish-kryetari i Bashkisë, i vetëdijshëm se nuk i pi më ujë fjala dhe askush nuk i beson më, firmosi një copë letër, por ju më mirë se kushdo e dini mirë se burri vlerësohet nga veprat, jo nga fjalët”.

Duke u shprehur për Edi Ramën, që "në 11 vjet në krye të bashkisë, dëshmoi se nuk i mbajti premtimet”, Basha kujtoi se si ish-kryetari socialist, “banorëve të Bregut të Lumit jo vetëm që u çoi fadromat, por u prishi banesat disave, të cilët i kishin në proces legalizimesh, nuk shtroi asnjë metër rrugë të vetme në lagjet e banorëve të ardhur, sepse i përbuzi”.
Duke e quajtur modelin si kryebashkiak të Edi Ramës, “model të skaduar”, Basha u shpreh se: “këtë model, që Tirana e refuzoi në 8 maj 2011 si prodhim i skaduar, të cilit i ka kaluar çdo afat i mbrojtjes së konsumatorit dhe që nuk e hëngri Tirana, sot nuk e ha Kamza dhe gjithë Shqipëria”.
Ndërsa tha se "Edi qimen e ndëron, por zakonin nuk e harron”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha u kërkoi banorëve të Kamzës që të votojnë alternativën e provuar të shërbimit me Kryeministrin Berisha.
"Të votojnë nr 44 për planin tonë konkret, për zhvillimin, rritjen e punësimit, integrimin në BE. Duke u thënë “ndal” zuullumeve të bojkotit, ne do të vazhdojmë rrugën për t'u bërë anëtarë të BE-së”, tha Basha

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›