PD merr mandatin e katërt në Lezhë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar sot tabelën e rezultateve të zgjedhjeve në qarkun e Lezhës, që sjell edhe ndryshim në ndarjen e mandateve, duke i kaluar një koalicionit të djathtë.
Sipas tabelës së miratuar sot nga KQZ-ja Partia Demokratike ka 4 mandate ndërsa Partia Socialiste ka 3 mandate. Kështu i është hequr mandati Arben Ndokës nga Partia Socialiste dhe i ka kaluar Vasil Bicit nga Partia Demokratike.
Pas vendimit, përfaqësuesi ligjor i PS në KQZ, Genc Gjonçaj ka deklaruar se do të ankimojë rezultatin e Lezhës
“KQZ nuk mund të jetë organ hetimi duke marrë vendime si ky i sotmi me qarkun Lezhë”- tha Gjonçaj.
Mbledhja e KQZ-së është shoqëruar me debate për tabelën e rezultateve të numërimit për Qarkun e Lezhës.
Kryetarja e KQZ Lefteri Lleshi theksoi se rezultati është bërë mbi 248 qendrat me shifrat e korrigjuara, ndërkohë që për 10 të tjerat, në baze të të dhënave elektronike të administruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Përfaqësuesit ligjor të PS-së dhe LSI-së në KQZ e kanë quajtur të padrejtë e të pambështetur në Kod mënyrën se si po veprohet, duke kërkuar zbardhje të shpejtë të vendimit për të reaguar më pas ligjërisht.
“Kjo që sapo e vendosët në vendimmarrje bën të mundur lëvizjen e një mandati nga një koalicion në tjetrin. Dua të them se ky veprim në këtë formë nuk bazohet në kodin zgjedhor është një procedurë që nuk përcaktohet në nenet e kodit zgjedhor. Ajo që do kërkoja për hir të procesit zgjedhor në këtë qark është që të zbardhni sa më shpejt vendimin që të bëjnë animimin në kohën e duhur”- tha përfaqësuesi i PS-së Geng Gjonçaj.
“Pyetja ime ka të bëjë me faktin se gjatë gjithë ditëve që zhvillohej procesi i numërimit në qarkun e Lezhës sistemi i të dhënave KQZ pasqyronte një rezultat që mandatet ndaheshin 4 me 3, ndërsa sot ku ka përfunduar procesi i votave i referoheni sistemit dhe rezultati shkon të favor të koalicionit të djathtë”- tha përfaqësuesi i LSI-së Muho.