E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët në protestë: Ndjehemi të kërcënuar, punimet e pallatit nuk kanë përfunduar

TIRANE - Banorët e një pallati në zonën e Freskut në Tiranë akuzojnë pronarin e pallatit për mospërfundimin e punimeve.
Banorët deklarojnë se jetojnë me frikë në pallat, për shkak se telat e korrentit janë përtokë, pompat e ujit nuk punojnë, ndërsa bodrumet janë të mbushura me ujë.

Në këtë pallat banojnë rreth 50 familje. Ata pretendojnë se i kanë kërkuar pronarit në mënyrë të përsëritur që të përfundojë ndërtimet, por ai nuk i ka përmbushur kërkesat e tyre.

Në një komunikim në “News24”, një prej banoreve të pallatit deklaroi se ka bërë mbi 10 denoncime në polici për shqetësimet e tyre, por autoritetet nuk kanë reaguar.

“Këtu nuk ka as shtet, as qeveri asgjë. Këtu luhet me jetën e banorëve. Jemi ankuar, kemi bërë mbi 10 denoncime tek komisariati numër katër dhe na kanë thënë bëni çfarë të doni, ne nuk përgjigjemi për asgjë. Dhashë tokën për ngritjen e pallatit dhe banoj në këtë pallat. Pompat e ujit kanë rënë në korrent dhe jemi gjithë pallati pa ujë se kemi frikë ti ndezim pompat”- deklaroi ajo.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›