E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karabina: Duhet ndryshuar Kushtetuta për të hequr ushtrinë

Shërbimi ushtarak i detyruar nuk është hequr, pasi është sanksionuar si i tillë në Kushtetutë ndaj dhe duhen 84 vota deputetësh që të miratohet heqja e detyruar e këtij shërbimi. Ministria e Mbrojtjes ka shpjeguar ndryshimet përkatëse që janë propozuar në ligjin për shërbimin ushtarak. Sipas zëvendësministrit të Mbrojtjes, Petrit Karabina, shërbimi i detyruar ushtarak është sanksionuar në Kushtetutë dhe për këtë duhet ndryshimi i saj. Ai tha se ndryshimi në ligj nuk ka kërkuar heqjen e shërbimit ushtarak të detyruar, por vendosjen e shërbimeve alternative për të rinjtë, që sipas ligjit, duhet të bëjnë shërbim ushtarak të detyruar. Ai tha se me ndryshimet e reja në ligj, në rast se ndonjë i ri nuk kërkon të shërbejë nën armë, atëherë ai do të shërbejnë për një vit me një detyrë tjetër, për qëllime të shtetit ose mund të paguajë shumën prej 300 mijë lekësh të reja për të shpëtuar nga shërbimi ushtarak. Gjithsesi, ai tha se pas vitit 2010, praktikisht shërbimi ushtarak i detyruar nuk do të përdoret më, pasi Forcat e Armatosura do të jenë tërësisht profesionale dhe nuk do të ketë nevojë për rekrutë. Ushtria e vitit 2010 parashikon rreth 4.200 ushtarë, të gjithë profesionistë dhe me një pagë mesatare prej 350 eurosh, çka nënkupton që shërbimi i detyruar ushtarak nuk do të ketë vlerë.

Ligji i ri

Karabina sqaron se ndryshimet e këtij ligji kanë të bëjnë me shërbimin alternativ, pra shërbim pa armë që mund të kërkohet jo vetëm 6 muaj para mbushjes së moshës së ushtrisë, por edhe kur janë duke e kryer shërbimin ushtarak. Shtetasi që nuk dëshiron ta kryejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak me armë për arsye ndërgjegjeje, duhet të bëjë kërkesë në qendrën e rekrutim-mobilizimit para mbushjes së moshës ligjore për kryerjen e shërbimit ushtarak dhe të kërkojë kryerjen e shërbimit alternativ. Gjithashtu, ai mund të kërkojë kryerjen e shërbimit alternativ për arsye ndërgjegjeje edhe në kohën kur është duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Pra, çdo i ri i cili kërkon të rekrutohet me dëshirë në Ushtrinë Shqiptare mund të bëjë një shërbim alternativ që e cakton ushtria, duke e parë si jo të domosdoshëm shërbimin nën armë. Kërkesa në këtë rast i paraqitet komandës së njësisë, ku ai kryen shërbimin ushtarak. Nga ana tjetër, ligji parashikon që shtetasi kryefamiljar, i martuar, që ka një a më shumë fëmijë të mitur, të mos thirret për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Gjithashtu, kur shtetasi kryefamiljar, i martuar, është duke kryer shërbimin ushtarak edhe gjatë kësaj kohe ai bëhet me një a më shumë fëmijë, mund të lirohet nga shërbimi ushtarak.

Ushtria e 2010-s

Shqipëria me forcë ushtarake profesioniste me pagesë do të jetë gati vetëm në janar të 2010-s, kur në vend do të shërbejnë rreth 4.200 ushtarë. Deri në këtë datë, do të vijojë rekrutimi i personave që kanë mbushur moshën, pasi shërbimi ushtarak mbetet ende një detyrim kushtetues në vendin tonë. Në një moment të tillë, vetë ushtria fton të rinjtë të zgjedhin të bëhen ushtarë profesionistë, duke përfituar kështu dhe nga avantazhet e ofruara, duke nisur nga paga që shkon në rreth 30-40 mijë lekë të reja në muaj. Për t’u bërë ushtar profesionist duhet të kalosh disa teste dhe procedura. Vendimi i qeverisë për heqjen e shërbimit ushtarak të detyruar ka vënë në vështirësi qendrat e mobilizimit në rrethe, pasi shumë të rinj nuk janë paraqitur në komisione. Por ushtarakët thonë se askush nuk do t’i shpëtojë shërbimit të detyrueshëm deri në ndryshimin e Kushtetutës për këtë nen.

Kushtetuta

Neni 166

1. Shtetasit shqiptarë kanë për detyrë të marrin pjesë në mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë, siç parashikohet në ligj.

2. Shtetasi që, për arsye ndërgjegjeje, nuk pranon shërbimin me armë në forcat e armatosura, është i detyruar të kryejë një shërbim alternativ, siç parashikohet në ligj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›