PD, në Prokurori për Doshin. Balla, padi ndaj Berishës

PD depoziton kallëzimin penal për deputetin e PS-së, Tom Doshi. Në anën tjetër edhe PS-ja paralajmëron kallëzim penal për Berishën
TIRANË - Paralelisht me kohën kur deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi i është drejtuar zyrave të Prokurorisë së Përgjithshme, për të dorëzuar kallëzimin penal ndaj deputetit socialist Tom Doshi, duke pretenduar se në sallën e seancave plenare ka kërcënuar me jetë dhe pa asnjë shkak deputetin Genti Strazimiri, nga selia rozë është paralajmëruar padi ndaj kryeministrit Sali Berisha për kërcënimet, që ky i fundit i ka drejtuar deputetit Tauland Balla.
Dje, pas dorëzimit të kallëzimit penal, deputeti Halimi u shpreh para medieve se ka ardhur koha që ligji të jetë mbi të gjithë.
"Është momenti që si publiku dhe të gjithë ne të mësojmë se si ligji vepron edhe ndaj qytetarit, edhe ndaj deputetit. Veprimin agresiv të deputetit Doshi e ka dënuar edhe publiku dhe ne presim që këtë akt të ndodhur në parlamentin shqiptar, ta dënojë edhe ligji", - u shpreh deputeti Halimi, duke shtuar se kallëzimi penal ndaj deputetit Doshi ka për qëllim shfaqjen e një modeli të ri të sjelljes së deputeteve në parlament.
Ky kallëzim penal, sipas Halimit, ka si qëllim hetimin dhe heqjen e imunitetit të deputetit socialist, pasi Doshi akuzohet nga mazhoranca për kanosje me jetë për shkak të detyrës ndaj deputetit demokrat Gent Strazimiri, në seancën e 24 majit të këtij viti, kur të dy deputetët u përfshinë në fyerje dhe debate të ashpra me njëri-tjetrin.
Pritet që pas dorëzimit të këtij kallëzimi, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, të caktojë një prokuror për hetimin e çështjes, i cili pas veprimeve paraprake që do të zgjasin rreth 15 ditë do të vendosë të regjistrojë ose jo procedimin penal ndaj deputetit Doshi, i hetuar kohë më parë edhe për rrahjen e një gazetari. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për padinë që PS-ja do të depozitojë ndaj kryeministrit Sali Berisha.
"Unë do t'i kërkoj Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste që edhe ne të depozitojmë në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal ndaj shtetasit Sali Rama Berisha, lindur në Viçidol dhe banues në Tiranë, i datëlindjes 15.10.1944, për kërcënim të drejtpërdrejtë për vrasje. Ky shtetas më 22 korrik 2008 në seancën plenare të kuvendit të Shqipërisë më ka kërcënuar: a) Do të të vras; b) Ti nuk shkel më i gjallë në Kuvendin e Shqipërisë.
Ky ka qenë rasti i përsëritur, sepse vetëm pak kohë më parë Sali Berisha më ka kërcënuar për vrasje përmes torturës: "Ta bëj fytyrën si këpuca", - tha dje deputeti i PS-së, Tauland Balla.