PS merr pjesë në seanca, Topalli u heq pagën

Deputetët e PS penalizohen sërish për mospjesëmarrje në të 5 seancat plenare të muajit prill, ndërkohë që faqja zyrtare e Kuvendit vërteton të kundërtën
TIRANË - Trajtimi financiar i deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë vijon të mos bëhet në bazë të ndonjë ligji e as në bazë të ndonjë praktike fikse të njëjtë për të gjithë. Administrata që merret me financat në Kuvendin e Shqipërisë duket se më shumë punon mbi bazën e urdhrave të kryeparlamentares Jozefina Topalli sesa mbi normat ligjore që parashikojnë dhe praktikat përkatëse, duke bërë shpeshherë trajtime preferenciale për deputetë të ndryshëm.
E duket se deputetët socialistë kanë mbetur sërish pre e një politike të tillë, pasi në muajin maj janë penalizuar në mënyrë abuzime me nga 20 mijë lekë secili për mospjesëmarrje në të 5 seancat plenare të muajit prill, pavarësisht se procesverbalet e publikuara në faqen zyrtare të Kuvendit tregojnë të kundërtën.
Ndëshkimi
Deputetët socialistë ndëshkohen financiarisht me heqjen e një pjese të pagesës së muajit maj për mospjesëmarrje në 5 seancat plenare të muajit prill, megjithëse ata kanë qenë të pranishëm në 3 prej tyre.
Siç vihet re në tabulatin e lajmërim kreditimit për pagën e muajit maj, të zgjedhurit socialistë kanë mundur të marrin vetëm 19.4 lekë dhe kjo edhe si pasojë e penalizimit që administrata e Kuvendit i ka bërë atyre me nga 20 mijë lekë me argumentin se nuk kanë marrë pjesë në seancat e muajit prill. Kështu, në tabulatin sqarues evidentohet se atyre iu janë ndalur nga 20 mijë lekë të reja për mungesa dhe masa disiplinore të kryera në muajin prill.
Duke u nisur nga fakti se me vendimet e mëparshme të Kuvendit është caktuar që një deputeti i mbahet 4 mijë lekë për çdo mungesë në seancë plenare, rezulton se deputetëve të majtë iu janë mbajtur 20 mijë lekë, të cilat i korrespondojnë 5 seancave plenare, që janë zhvilluar në muajin prill.
Por, një përllogaritje e tillë e bërë nga administrata e Kuvendit nuk qëndron, pasi nga procesverbalet e publikuara në faqen zyrtare të këtij institucioni rezulton se të zgjedhurit socialistë kanë marrë pjesë në 3 seanca plenare nga 5 që janë zhvilluar gjithsej.
Kështu, ata kanë qenë prezentë në seancën e së enjteve të datave 1, 8 dhe 29 prill, duke mos qenë prezent vetëm në dy prej tyre kur edhe u sensibilizuan me kolegun e tyre Taulant Balla, i cili u dënua nga Byroja Parlamentare.
Fjala e mbajtur nga kryetarja Topalli në këto seanca, duke bërë të ditur listën e deputetëve socialistë që kishin kërkuar fjalën në këto seanca, por edhe fjalimet e vetë deputetëve socialistë të zbardhura në këto procesverbale janë një dëshmi e plotë për të treguar se kriteri penalizues i ndjekur nga Kuvendi nuk ka për bazë pjesëmarrjen në seancë, por penalizimin e vazhdueshëm që kryetarja Topalli u ka bërë atyre për gati 10 muaj me radhë.
Akuzat
Pavarësisht vlerës simbolike të shumës së lekëve që janë ndalur, e rëndësishme është se penalizimi i kryer nga Kuvendi është abuziv dhe jo i drejtë, çka duket se bind edhe më shumë deputetët e majtë për të akuzuar kryeparlamentaren Topalli se po e përdor këtë institucion kundër opozitës.
Gjatë ditëve të fundit, grupi parlamentar socialist përveç akuzave të drejtpërdrejta të ngritura në sallën e Kuvendit duket se janë duke menduar edhe për një padi të kryetares Topalli në organet e drejtësisë, për abuzim me pagat dhe dietat e tyre. Gjithashtu, një plan tjetër është edhe ai për të kërkuar një hetim parlamentar për të gjithë veprimtarinë parlamentare të Topallit dhe përdorimin e buxhetit të këtij institucioni.
Do të jetë pikërisht mbledhja e sotme e grupit parlamentar ajo që do të vendosë ndër të tjera edhe për këto dy mundësi. Dje, shqetësimin e tyre për këtë problem, ata ia përcollën nëpërmjet një letre edhe trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
Procesverbalet e tre seancave ku kanë marrë pjesë socialistët
(Seanca e ditës së enjte, datë 1.04.2010, ora 17:00)
Rendi i ditës:
Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (deri 60').
Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 25.03.2010.
Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes financiare shtesë për marrëveshjen e projektit dhe të financimit, datë 06.02.2007, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, Pogradec dhe Bankës gjermane për Rindërtim dhe Zhvillim (KfW), për programin e mbrojtjes mjedisore të liqenit të Ohrit, "Kanalizimet Pogradec"".
Projektligj "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën ndërkombëtare "Për heqjen e anijeve të mbytura"".
Projektligj "Për disa shtesa në ligjin nr. 9655, datë 11.12.2006 "Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar".
Projektligj "Për disa shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar".
Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së komisionerit për mbrojtjen e të dhënave personale".
Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve".
Jozefina Topalli - Zotërinj deputetë, nisim seancën.
(Lexon rendin e ditës.)
Fillojmë me pikën e parë të rendit të ditës. Kanë depozituar emrat nga mazhoranca: Gent Strazimiri, Gerti Bogdani, Fatbardh Kadilli, Albana Vokshi, Ledina Aliolli, Rrahim Çota.
Nga opozita: Fatmir Xhafaj, Ermelinda Meksi, Alfrded Dalipi, Ethem Ruka.
Nga LSI-ja, Nasip Naço. Të pavarur Vangjel Dule dhe Shpëtim Idrizi.
Zoti Xhafaj, urdhëroni!
Fatmir Xhafaj - Të nderuar kolegë,
Fillimisht, më lejoni të uroj për festën e tij të përvitshme Kryeministrin e vendit dhe Qeverinë e tij. Nuk do të harroj, natyrisht, edhe urimin për Kryetaren e Kuvendit. Sot është një ditë e shënuar për ju.
(Seanca e datës 8.04.2010, ora 17:00)
Rendi i ditës:
1. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (deri 60 minuta).
2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 01.04.2010.
3. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes me shkëmbim notash ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Holandës për privilegjet dhe imunitetet e oficerit ndërlidhës".
4. Projektligji "Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara".
5. Projektligji "Për një ndryshim në ligjin nr. 7926, datë 20.04.1995 "Për transferimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare", të ndryshuar".
Në pikën e parë të rendit të ditës kanë regjistruar emrat:
Nga mazhoranca Ferdinand Xhaferri, Fatbardh Kadilli, Gerti Bogdani, Spiro Ksera, Tritan Shehu, Ledina Aliolli, Lefter Maliqi, Besnik Tushe, Rrahim Çota, Gëzim Dibra.
Nga LSI-ja, Nasip Naço.
Nga opozita Blendi Klosi, Fatmir Toçi, Ermonela Felaj, Taulant Balla, Asllan Dogjani, Saimir Tahiri.
Seanca e datës 29.04.2010
(Seanca filloi në orën 18:00)
Rendi i ditës:
Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (deri 60').
Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 22.04.2010.
Projektligji "Për ratifikimin e Protokollit të Pestë shtesë të marrëveshjes "Për forcën shumëkombëshe të paqes në Europën Juglindore"".
Projektligji "Për dokumentin elektronik".
Projektrezolutë "Për vlerësimin e punës së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për vitin 2009".
Projektrezolutë "Për vlerësimin e punës së Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit për vitin 2009".
Projektrezolutë "Për vlerësimin e punës së Këshillit Drejtues të Radio-Televizionit për vitin 2009".
Raport i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.
Jozefina Topalli - Mirëmbrëma, zotërinj deputetë!
(Pasi lexon rendin e ditës.)
Fillojmë me pikën e parë të rendit të ditës: Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Zonja Dade, urdhëroni! Ju lutem, respektoni 5-minutëshin! Kjo vlen për të gjithë deputetët. Sapo mbaron koha, mbyllet mikrofoni, ndaj, ju lutem, llogariteni kohën tuaj më përpara!
Arta Dade - Të nderuar kolegë