PD në kërkim të 84 votave për reformat
Partia Demokratike kërkon ndihmën e Partisë Socialiste në Kuvend për të votuar ligjet që kërkojnë 84 vota. Zëdhënësja e qeverisë, njëkohësisht ministre e Integrimit, Majlinda Bregu, kërkoi dje nga opozita të bashkëpunojë për reformat që i shërbejnë integrimit të vendit drejt Bashkimit Europian. Ende pa nisur bashkëpunimi PD-LSI, ministrat aktualë të kabinetit qeveritar nuk ngurrojnë ta cilësojnë si të suksesshme frymën konsensuale, që sipas Majlinda Bregut, përcjell futja e një partie të majtë në qeveri. Ministrja Bregu e përqendron idenë e këtij bashkëpunimi, fill pas thirrjes publike të Kryeministrit Berisha, i cili ka thënë se është i gatshëm për të bashkëpunuar dhe për t‘i shtrirë dorën opozitës për kryerjen e reformave. Ministrja Bregu, e vetëdijshme se një pjesë e këtyre reformave nuk mund të miratohen, të paktën numerikisht, në Kuvend pa votat e Partisë Socialiste, kërkon që një konsensus i tillë të vijë edhe nga selia rozë. Madje, ministrja e Integrimit i drejtohet direkt kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili, sipas saj, nuk i njeh zgjedhjet dhe institucionet e dala prej tyre, për shkak të egos personale të pushtetit. "Mbetem i hapur që të bashkëpunoj me opozitën. Pavarësisht nga kërkesa e saj për zgjedhje të parakohshme, unë e garantoj opozitën se do të bëj çdo përpjekje që të procedojmë së bashku për reforma të mëdha, që nevojiten për integrimin e vendit në Bashkimin Europian", është shprehur Kryeministri Berisha në një intervistë për mediat e huaja pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Çdo reformë do të kërkojë një vullnet të përbashkët të forcave kryesore në Kuvend, sepse çdo ndryshim për ligjin e organizimit të pushtetit gjyqësor kërkon 84 vota dhe ndryshimet në Kushtetutë për drejtësinë kërkojnë 2/3 ose më shumë se 92 vota. Partia Demokratike, së bashku me LSI-në kanë vetëm 74 vota në Parlamentin e ri dhe si rrjedhojë i duhet që t‘i shtrijë dorën partisë më të madhe opozitare, e cila ka 65 karta në Kuvendin e ri.