E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radhë të gjata në pikat kufitare me Greqinë

Fluks emigrantësh në pikat kufitare me Greqinë. Mëngjesi i djeshëm i ka gjetur dy vendet e kalimit kufitar me shtetin helen, atë të Kapshticës dhe Kakavijës, me radhë të gjata makinash dhe emigrantësh. Gjendja ka vazhduar deri në mesditë, kur në Kapshticë radhët e gjata të makinave kanë shkuar deri në 2 km. Emigrantëve u është dashur të prisnin gati 3 orë për të hyrë në pikën doganore greke, pasi pala helene punonte me pak sportele kontrolli. Mësohet se dogana greke ka vënë në dispozicion vetëm katër sportele, ndërkohë që nga ana shqiptare janë vënë në punë tetë të tilla. Ndërkohë që fluksi i emigrantëve që prisnin të ktheheshin në vendet e tyre në Greqi gjatë ditës së sotme ka qenë shumë i madh. Nga pala greke, mungesa e personelit është justifikuar dhe me lejet verore të punonjësve. Mësohet se gjatë 24 orëve të fundit nga pika doganore e Kapshticës kanë dalë nga Shqipëria drejt Greqisë mbi 5 mijë emigrantë. Ndërsa në pikën kufitare të Kakavijës, gjatë orëve të natës pala greke ka punuar vetëm me një sportel, çka krijoi mjaft probleme në lëvizjen e emigrantëve. Radha e makinave që prisnin të hynin në Greqi gjatë orëve të natës ka qenë mjaft e gjatë, ndërsa situata është stabilizuar gjatë paradites së djeshme. Mësohet se pala greke, pas orës 07:00 të mëngjesit të sotëm vuri në dispozicion 6 sportele.

Gjatë mëngjesit të sotëm, nga Shqipëria drejt Greqisë kanë kaluar 4200 shtetas dhe 1100 makina, kurse gjatë 24 orëve të fundit numri i ka kaluar 10200 shtetas dhe 2600 automjete. Ndërkohë, në Portin e Vlorës gjendja është stabilizuar pas dy ditëve kaotike që u krijuan nga mungesa e vendeve në tragetet e linjës Vlorë-Brindizi. Mësohet se mëngjesin e sotëm kanë kaluar rreth 1100 persona dhe 280 automjete dhe kapaciteti i trageteve ka qenë i mjaftueshëm për të përballuar udhëtarët, duke mos krijuar kështu radhë të gjata pritjeje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›