E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, drejt përfundimit të sistemit të adresave

Brenda pak kohësh, nëse kërkoni të gjeni një hotel, restorant apo lokal në Sarandë, mjafton të klikoni në internet dhe itinerari do të jetë i qartë. Kjo falë hartës që do të përgatitet, pas punës për emërtimin e rrugëve, shesheve, lagjeve të qytetit. Harta do të jetë e pajisur me të gjithë këta elementë që kërkon sistemi, që do të publikohet në vende publike në qytet, por do të gjendet edhe në uebsajtin e qytetit të Sarandës në internet.

Zëvendëskryetari i bashkisë, Fatos Mullaj, thotë për "Shqip" se procesi i evidentimit të adresave është mjaft i rëndësishëm në kushtet e veçorive që ka Saranda si qytet turistik, ballafaquar edhe me problematikën e ardhur nga zhvillimet demografike që ka pasur qyteti në vitet e fundit. Mullaj thotë se në 20 vjet popullsia e Sarandës pothuajse është trefishuar si popullsi. Ndërkohë që në pikun e sezonit ajo i kalon të 100 mijë banorët. Projekti është mbështetur nga OSBE, e cila e ka përzgjedhur Sarandën si qytet pilot për organizimin e infrastrukturës dhe emërtimin e numërtimin e objekteve të qytetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›