E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalojnë kufi rin nga mali për të kuruar vajzën

Ndërkohë që qeveritarët shqiptarë e kanë kthyer në luftë deklaratash dhe sulmesh politike integrimin e vendit tonë në BE dhe çështja e liberalizimit të vizave është kthyer në një odise të gjatë, një çifti bashkëshortësh nga Ballshi i është dashur të udhëtojë me ditë të tëra nëpër male, për të kuruar vajzën e tyre të verbër. Historia e çiftit Edmond dhe Lefteri Aliaj nuk ka ndodhur vitet e para të pas rrëzimit të ish-diktaturës, atëherë kur shumica e shqiptarëve sfidonin terrenin e thyer e të panjohur, ditë të tëra më këmbë, vdekjen përpara syve, si dhe shumë e shumë mundime të tjera, me qëllim një jetë më të mirë jashtë kufijve të Shqipërisë. Rrugëtimi i tyre drejt shpresës ka ndodhur vetëm pesë vjet më parë, kur një pjesë e emigrantëve të parë nisën të legalizoheshin e kur në nën dorë sekserët nisën të shisnin viza për jashtë shtetit, me shifra që kapnin deri dhe 5 mijë euro. Aliajt nuk kërkonin punë apo të ardhura të majme, kërkonin vetëm që sytë e vajzës së vetme të rishihnin dritë. Vajza e tyre e vetme, Pranvera, atëherë vetëm 4 vjeçe, ishte prekur nga një sëmundje, që nga dita në ditë humbte shikimin. Mjekët shqiptarë nuk i kishin dhënë shpresë për ta kuruar. E vetmja mënyrë mbetej trajtimi në një spital më të specializuar jashtë shtetit. Prindërit e vogëlushes kërkuan të merrnin vizë nëpër ambasada, por prej tyre morën vetëm përgjigje negative. Ndërkohë, gjendja e rëndë ekonomike për të siguruar një vizë në treg të zi i detyroi prindërit të marrin rrugëtimin e gjatë më këmbë, drejt Greqisë. "Bukë nuk kisha të haja në shtëpi, por sytë e Pranverës i doja. Po më verbohej, e bashkë me sytë e vajzës edhe unë do të kisha të njëjtin fat", tregon Edmond Aliaj, për gazetën "Shqip". Me thjeshtësi dhe qetësi kërkon me ngulm që të falënderojë ata që e ndihmuan për realizimin me sukses të rikthimit të shikimit të së bijës. Edmond Aliaj, 40 vjeç, banon në qendrën e Rrethit të Mallakastrës, në Ballsh. Prej disa vitesh ai është i martuar me Lefterinë, me të cilën ka tre fëmijë: dy djem dhe një vajzë, Pranverën. Ajo çka e shtyn Edmondin për të bërë publike historinë e tij, është fakti se kërkon të tregohet mirënjohës dhe të falënderoj bluzat e bardha greke, të cilat kanë sjellë "diell" në jetën e tij, pasi falë ndërhyrjes së tyre, Pranvera e tij sot mund të shohë sërish. Edmond Aliaj nuk resht së falënderuari edhe personelin e konsullatës greke në Gjirokastër, si dhe ministren e Jashtme greke, Dora Bakojanis, pasi falë ndihmës së tyre ai arriti që ta çojë në Greqi vajzën e tij, Pranverën, për kurim. E bija nga dita në ditë rrezikonte të verbohej, por falë ndërhyrjes së mjekëve ajo gëzon shëndet të plotë dhe ka një fëmijëri normale si gjithë bashkëmoshatarët e saj. Edmondi vendos të na rrëfejë historinë e tij, sa të dhimbshme aq edhe të bukur, për nga mesazhi dhe përvoja që përcjell. Ai tregon rrugën e tij të vështirë e të mundimshme, plot sakrifica, por që për të tashmë janë harruar, kur shikon dritë në sytë e së bijës. "Ishte viti 2004. Ka qenë data 10 dhjetor kur unë, së bashku me gruan e vajzën e sëmurë, Pranverën, vendosa të nisem drejt Greqisë nëpër male. U detyrova që të marr rrugën për në emigrim, me qëllim që të mbërrija në Athinë të Greqisë. Ky vendim erdhi pas bisedash me gruan dhe pas informacionit të bollshëm që kisha marrë për spitalet greke, që mund të trajtonin sëmundjen e vajzës sonë. Zoti më ndihmoi që të kaloja ilegalisht kufirin dhe mos të kisha probleme", tregon 40-vjeçari i përlotur, kur kujton ankthin dhe rrugëtimin e gjatë. Ai tregon se si për tri ditë i duhej t‘i udhëhiqte rrugën gruas dhe vajzës. "Herë e mbaja unë në krah vajzën dhe herë gruaja ime. Nuk ndjeja lodhje, vetëm doja të mbërrija sa më shpejt në Greqi. Edhe jetën do të lija, vetëm e vetëm që të mundja ta vizitoja time bijë. Kemi fjetur ferrave të maleve greke deri sa munda që pas tri ditësh të hip në autobusin Janinë-Athinë", vijon të tregojë Edmond Aliaj. Pas mbërritjes në kryeqytetin grek, shkuan në një spital në Sigru, ku u pritën nga mjeku okulist, Alexandëro Hanaris. Specialisti grek, pasi ia bëri të gjitha analizat vajzës, i dha kurën e parë. "Ai më tha se duhet të kthehesha sërish në Shqipëri, të pajisesha me dokumente të rregullta dhe vizë, pasi duhet të vija një herë në muaj për vizitë. Kthehem në Shqipëri, mundohem për të marrë vizë në ambasadën greke në Tiranë, por më refuzuan kërkesën. Detyrohem që t‘i bëj një letër ministres së Jashtme greke, Dora Bakojanis, e cila vë në lëvizje mekanizmat vartës të saj dhe kështu munda të marr vizë në konsullatën greke, në Gjirokastër", vijon rrëfimin 40-vjeçari. Pas mjekimeve e kontrolleve të herë pas hershme në Greqi, Pranvera arrin të shërohet plotësisht. "Ime bijë tashmë arrin të shikojë shumë mirë e për këtë më duhet të falënderoj Zotin dhe ata që më ndihmuan", përfundon me mirënjohje Edmondi.

Sëmundja

Pranvera kishte lindur me probleme dhe ishte pothuajse foshnjë kur iu konstatua diagnoza. Ajo vuante nga një sëmundje që i kishte prekur shikimin dhe sipas mjekëve gjendja do të avanconte me rritjen e vajzës, derisa ajo të humbte plotësisht shikimin. Për mjekët shqiptarë, në atë kohë, sëmundja që kishte Pranvera ishte e vështirë të trajtohej, gati e pamundur. Sipas tyre shërimi mund të vinte vetëm nga mjekë dhe teknika të specializuara jashtë vendit. Në Shqipëri Aliajt nuk do të kishin shpresa që ta shikonin të bijën të rritej si gjithë bashkëmoshatarët e saj, ndaj për ta shpresa e vetme ishte Greqia.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›