E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, padi penale për Tom Doshin

Grupi demokrat depoziton sot padinë në prokurori

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike pritet t’i kërkojë sot zyrtarisht prokurorisë ndjekjen penale të deputetit të Partisë Socialiste, Tom Doshit, me akuzën e kanosjes për shkak të detyrës. Lajmi u bë i ditur dje nëpërmjet një deklarate të përbashkët të grupit demokrat, ku kjo nismë theksohet se merret për shkak se Doshi dy javë më parë ka kërcënuar me vdekje deputetin e PD-së, Gent Strazimiri. “Tom Doshi kërcënoi me vdekje në sallën e Kuvendit të Shqipërisë deputetin e Partisë Demokratike, Gent Strazimiri. Incidenti u provokua pa asnjë arsye, kur deputeti demokrat po diskutonte në foltoren e Kuvendit dhe prej tij nuk u shqiptua asnjë fjalë fyese ndaj kolegëve të opozitës”, theksohet në deklaratën e grupit parlamentar demokrat të drejtuar nga Astrit Patozi. Sipas deklaratës të shpërndarë në media, pamjet e qarta televizive që u transmetuan një ditë pas incidentit treguan qartë kanosjen me jetë të bërë nga ana e deputetit socialist. Në deklaratë theksohet se incidenti me deputetin Strazimiri nuk është rasti i parë, kur Doshi është pjesë i këtyre ngjarjeve. “Disa vjet më parë ai goditi barbarisht në një ambient publik të Tiranës një gazetar të shtypit shqiptar, në sy të shumë dëshmitarëve. Ngjarja bëri bujë, duke shkaktuar edhe reagimin e ashpër të shumë personaliteteve vendas dhe të huaj, por megjithatë autori nuk u ndëshkua”, thekson deklarata. Po kështu, grupi parlamentar i PD-së sqaron se sipas Kodit Penal, kanosja për shkak të detyrës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Kjo është hera e parë kur grupi parlamentar i PD-së, në mënyrë të përbashkët depoziton kallëzim penal në prokurori. Në këtë rast duket se bashkimi i deputetëve të PD-së për një padi do të rrisë edhe presionin ndaj prokurorisë për të marrë në shqyrtim këtë çështje, duke kërkuar fillimisht heqjen e imunitetit në Kuvend dhe më pas nisjen e hetimeve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›