E Diel, 1 Nëntor 2026

Programe për zhvillimin e turizmit në Fier

Prefektura e Fierit ka nisur punën për përcaktimin e projekteve prioritare për zhvillimin dhe promovimin e turizmit në këtë zonë, që më së shumti dallon për vijën bregdetare, rreth 73 km, me plazhe dhe rërë të njohur për vlera kurative. "Pas përfundimit të strategjisë së zhvillimit të turizmit, identifikimit, çertifikimit dhe klasifikimit të  burimeve turistike të gjitha njësitë e qeverisjes vendore që kanë burime turistike, kanë hartuar programe për zhvillimin e këtyre vlerave" tha prefekti i qarkut Shahin Bejtaj, ndërsa thekson se “një pjesë e mirë e të ardhurave lokale do të investohet pikërisht në projektet promovuese turistike" . Sipas zotit Bejdaj, krahas vijës bregdetare si në Seman, Hidrovor, Pish-Poro, Darzezë, etj, qarku i Fierit ofron për turistët edhe mjaft qendra arkeologjike si  Apollonia, Bylysi , Gurëzeza, Kalaja e Mashkiezës, Kalaja e Margëllicit, qyteti antik i Nikaias, Klosi , kalaja e Cfirit, tempulli antik Afërdita në Shtyllas, Nekropuli antik në Kryegjatë si dhe rrënojat e bazilikës Palokristiane në qytetin e Ballshit. Por jo vetëm kaq. Zona kënetore, të pasura me florë dhe faunë, me peisazhe interesante natyrore, në të cilat nëse do të investohej do të tërhiqnin mjaft turistë. Edhe grykëderdhjet e lumenjve Vjosa, Shkumbin dhe Seman, ofrojnë potenciale për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe gjahut. Ndërkohë, përmirësimi i ndjeshëm i infrastrukturës në zonat turistike të Fierit ka shtuar interesin e biznesit vendas për investime, kryesisht në hoteleri. Sipas kryetarit të Dhomës të Tregtisë në Fier, Shezai Çobaj "plazhet e qarkut të Fierit janë përfishirë në projektet e  qeverisë shqiptare për zhvillimin e turizmit", por shton ai “perspektiva e ngritjes së fshatrave turistikë do ta shndërronte këtë zonë në perlë të turizmit shqiptar”. Ndërsa konfirmon interesin e biznesit fierak në këtë drejtim, z. Çobaj nënvizon se për këtë qëllim kemi zhvilluar disa konsultime me përfaqësues të qeverisë qëndrore. ”Bregdeti i Adriatikut duhet të mbushet me ndërtime, sipas një plan-studimi urban, ku sipërfaqet e ndërtimeve të mos jenë më pak se 10 ha dhe projektet të jenë bashkëkohore”, shpjegon ai. Z. Çobaj liston disa nga faktorët që do të ndikojnë në zhvillimin dhe shtimin e investimeve në turizmin fierak siç janë përmirësimi i infrastrukturës rrugore, asfaltimi i segmentit  rrugor Dërmënas -Plazhi Darëzezës dhe Seman –Plazh, furnizimi me energji elektrike 24 orë, përmirësimi i furnizimit  me ujë të pijshëm si dhe punësimi nga komunat i individëve që trajtohen me asistencë sociale për  mirëmbajtjen e plazheve.  “Këta faktorë favorizues të përfshirë në strategjinë e zhvillimit të turizmit janë një garanci për interesat dhe investimet e biznesit në bregdet”, tha z.Cobaj. Në total biznesi fierak sic informon kryetari i Dhomës të Tregtisë në Fier, Shezai Çobaj, zë vendin e dytë në shkallë vëndi, me rreth  9,55 % të  qarkullimit vjetor. Por përkundër kësaj, shton ai, investimet në fushën e turizmit deri pak kohë më parë nuk kanë qënë në përpjestim të drejtë me resurset dhe vlerat e kësaj zone. Për z. Çobaj duhet punuar për ta kthyer turizmin fierak nga një turizëm ditor në një turizëm bashkëkohor, me të gjitha kushtet e hotelerisë. “Momentalisht pushuesit që frekuentojnë plazhet e Semanit, Darëzesës, Pish-Poros, Libofshës apo vizitojnë Apolloninë  Bylisin  dhe Ardenicën, akomodohen në hotelet e Vlorës e Tranës për shkak të mungesës së një rrjeri hotelerie lokal”, përfundon ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›