E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Reforma në sistemin e shëndetësisë, përparësi e të gjitha përparësive në mandatin e dytë

Gjatë Konferencës Kombëtare të Infermierisë, Kryeministri Berisha e vendosi reformën në shëndetësi në krye të listës së prioriteteve, duke deklaruar se pjesë e reformës do të jetë vazhdimësia e politikës së rritjes së pagave për mjekët dhe për infermierët


Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e Konferencës Kombëtare të Infermierisë, e cila zhvillohet në mbyllje të Muajit të Infermierit, 12 prill-12 maj. Konferencë u organizua nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me USAID dhe Urdhrin e Infermierit, në mjediset e hotel “Sheraton”. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Së pari dua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, t’ju shpreh ju dhe të gjithë punonjësve të infermjeristikës në Shqipëri admirimin tim më të thellë dhe respektin tim më të madh për vetëmohimin, njerëzinë dhe përkushtimin që dëshmoni çdo ditë me profesionin tuaj kaq fisnik. Ju jeni punëtorët e dhembjes, të vuajtjes, të sakrificës njerëzore. Ju me punën dhe njerëzinë tuaj, jeni shembuj frymëzues për kolegët tuaj më të rinj dhe për mjekët më të rinj. Në bindjen time më të thellë nuk ka shërbim shëndetësor që mund të arrijë cilësinë e duhur dhe nuk ka reformë të sistemit shëndetësor pa ju, pa rolin tuaj dhe pa vendosjen tuaj në lartësitë e misionit të madh që ju keni. Në këtë kontekst mendoj se gjatë këtyre viteve është arritur të krijohet një koncept i ri për rolin tuaj. Në rast se në vitet e praktikës sime të përditshme me ju, roli i infermierit kishte vlerësim më të madh nga mjeku, por në rrafshin zyrtar, të jemi të sinqertë, ai shkonte më shumë drejt sanitares sesa drejt mjekut. Ne e përmbysëm këtë koncept. Një sistem i ri arsimor, me të gjitha kriteret e një Fakulteti Mjekësie, është shtrirë në mbarë vendin. Kjo përbën një arritje shumë të madhe për vendin. Unë i ndoqa me vëmendje kërkesat tuaja të drejta, kërkesat e ministres dhe kërkesat e kryetarit të Urdhrit të Infermierëve për standardet. Këto janë interesat tuaja më të mira. Zonja ministre, unë kam besim se në bashkëpunim me Urdhrin tuaj do të përpunojmë dhe aplikojmë standardet më të mira, por një kërkesë e kam; këto standarde duhet të jenë unike si për sektorin publik ashtu edhe për atë privat. Në asnjë rrethanë nuk duhet të pranojmë të shohim njërin si të nënës, tjetrin si të njerkës. Përkundrazi, ne duhet të pranojmë që vlerësimit për standardet duhet ti nënshtrohemi që të gjithë njësoj. Ky është interesi më i mirë i këtij sistemi. Së dyti, katër vite më parë ishte shumë e dhimbshme për mua kur mendoja se çfarë pune bëni ju. Ju keni punën më të vështirë. Në një vend puna e infermierit është më e vështira, më delikatja dhe shpërblimi ishte i papranueshëm. Ndaj vendosëm të 2-fishojmë pagat tuaja. Sot, duke filluar nga 1 maji, rrogat tuaja janë të 2- fishuara. Unë ju garantoj ju se ky proces do të vazhdojë më vendosmëri të madhe, sepse ju e meritoni plotësisht shpërblimin për punën që bëni. Kemi kapur një stacion të mirë, sepse 2 –fishimi në katër vjet është më e shumta që mund të bëjmë. Por, ne do të vazhdojmë përsëri me rritjen e pagave për mjekët edhe për infermierët. Sigurisht! Ky është profesioni i stresit, është profesioni i mundimit, është profesioni i precizonit, është profesion i cili meriton trajnim. Shoqëria është dhe do të jetë e vendosur t’i japë trajtimin e merituar bluzave të bardha. Ne kemi hedhur bazat për një reformë më të thellë në sistemin shëndetësor. Reformë kjo jetike për qytetarin shqiptar dhe për fëmijët e tij. Ju garantojmë se në rast se shqiptarët do t’i japin kësaj mazhorance një mandat të dytë, reforma në sistemin e shëndetësisë do të jetë përparësi e të gjitha përparësive, pasi bazat për ketë reformë janë hedhur. Së bashku do të lartësojmë çdo ditë e më shumë cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve shqiptarë. Së bashku do të përmirësojmë menaxhimin e këtij sistemi. Unë dua të shprehem se në rast se kolegët e mi mjekë mund të mos kenë atribute manaxheriale, ju infermierët jeni të pazëvendësueshëm në menaxhim. Ju në thelb dhe në të vërtetë duhet të jeni menaxherët e vërtetë të sistemit shëndetësor. Ja sepse ne do t’i kushtojmë një rëndësi shumë të madhe. Ne mund të vendosim drejtor një ekonomist të shquar dhe mund ta profilizojmë, por pavijonet dhe klinikat në rrafshin ekonomik do të menaxhohen tërësisht nga ju. Këtë kemi parë tek të gjitha spitalet ku kemi punuar, ky është standardi dhe këtë standard do ta vendosim, nuk është se nuk ekziston, por ky do të jetë një nga standardet kryesore tonat për vitet që vijnë. Edhe një herë ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe ju siguroj ju, si dhe të gjithë infermierëve të Shqipërisë, se për mua dhe qeverinë time misioni juaj është një mision jetik për një sistem, i cili është i vlefshëm. Ti kushtosh jetën, edhe shumë jetë po të kishte është i vlefshëm t’ia kushtosh. Misionin juaj është jetik për foshnjën, për nënë dhe për qytetarët e të gjitha moshave. Ju uroj suksese nëpërmjet kësaj konference, ju uroj suksese në punën tuaj fisnike dhe ju garantoj për mbështetjen time të plotë dhe të qeverisë që unë kryesoj”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›